Oshëtima, dridhje, frikë, goditje e fortë në objektin e shtëpisë dhe një veturë e përmbysur në oborr. Ishin këto gjërat që zgjuan sot familjen Terziçi nga Saraji i Shkupit.
Një makinë me targa të Serbisë kishte humbur kontrollin në autostradë dhe ka përfunduar në oborrin e shtëpisë së kësaj familjeje rreth orës gjashtë të mëngjesit. Bëhet fjalë për një grua 36-vjeçare e cila teksa po ngiste makinën ka humbur kontrollin dhe është gjendur në oborrin e kësaj shtëpie që ndodhet në afërsi të autostradës. Sipas informatave të dëshmitarëve ajo ka qenë e vetme në veturë, ndërkaq dëshmitarët thonë se në veturë ka pasur një karrocë për fëmijë. Megjithatë, për shkak të shokut të përjetuar, gruaja nuk ka arritur të konfirmojë nëse me të ka pasur ndonjë fëmijë ose jo.
Kryefamiljari Osman Terziçi rrëfen se si ka ndodhur e gjithë ngjarja dhe sa frikë u ka shkaktuar atij dhe familjes së tij.
OSMAN TERZIÇI, KRYEFAMILJAR
“Unë kam qenë në banjo duke i larë sytë, kur e dëgjova një ushëtimë kah kuzhina andej, kur e shoh u dridh toka, vetëm unë kam qenë zgjuar. Dola jashtë kur e pashë një veturë kishte rënë nga lart, prej më largë, drejt e në shtëpinë time, i ka rënë shtëpisë. Kur kam dalur njëherë nuk kam ditur çfarë të bëjë, kam bërtitur, fëmijët gjithë kanë qenë duke fjetur dhe dola i thirra djemtë, zbritën poshtë, çfarë të bëjë… E pyeta një herë në gjuhën shqipe thash a është gjallë dikush, kur e pashë më vonë regjistrimin e Nishit, e pyeta maqedonisht. Më vonë dolën djemtë e fëmijët stres duke qarë edhe unë kam qenë madje në stres të madh, ka ndodhë kah ora 6 e 15, i thirra fëmijën dolën se dijsha sa njerëz ka brenda, vetura ishte kështu si po e shihni, më vonë filloi të lëvizë një dhe doli, djali i ndihmoi dhe doli për dritaren e thyer, ja e shihni oborrin krejt me copa të xhamit e ka bërë, 50-60 metra që ka ra. Ajo shpëtoi e gjallë, erdhi ndihma e shpejtë dhe e mori”
Terziçi akuzon autoritetet se nuk kanë ndërmarrë masa për të vendosur mbrojtëse rreth rrugës së autostradës, duke nënvizuar se ai personalisht ka bërë peticion tek komuna që të ndërmarrin masa për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Përveç dëmit material, Terziçi thotë se ata janë dëmtuar psikisht me këtë që janë ballafaquar.
OSMAN TERZIÇI, KRYEFAMILJAR
“Ne kemi stres të madh, nuk po mund të pajtohemi, na ka dëmtuar shumë psiqikisht, por edhe oborrin shtëpinë, pllakat.. Shteti duhet të interesohet, shumë vonë kanë ardhur këta që i bëjnë inçizimite. Vetë jam unë që kam kërkuar nga komuna, kam bërë peticion që të vendosen mbrojtëse lartë, por nuk na janë përgjigjur as’Autopat Makedonija, as Komuna as askush. Unë jam qe 53 vjet këtu, s’ka ndodh më herët. Mua më ka bërë dëm dhe kërkoj dëmshpërblim vetëm frikën nuk mund të ma kompenzojnë, aq stres të madh që kemi marrë. Prej fëmijëve nuk ka të dëmtuar por jemi shumë të stresuar”
Ndihmën e parë shoferes ia ka dhënë familja Terziçi, ndërkaq më vonë kanë arritur edhe policia dhe ambulanca. Nga pamjet e siguruara nga televizioni Shenja, shihet se shoferja është jashtë rrezikut për jetë. Ajnur Bafqari /SHENJA/