I ftohti siberian ka bllokuar mbarë vendin që prej së dielës. Bora shkaktoi probleme të mëdha rrugëve të kryeqytetit.
Shërbimet komunale hodhën 455 ton kripë industriale, por megjithëkëtë disa linja të transportit urban janë ndërprerë si dhe në disa rrugë ka ndalesë për kalimin e mjeteve të rënda. I ftohti pritet të zgjasë edhe në dy ditët në vazhdim, një ngrohje e lehtë e temperaturave na pret vetëm në fundjavë.
“Në vazhdim do të ketë mot të vrenjtur dhe të reshura të kohëpaskohshme të borës, megjithatë intensiteti do të jetë më i ulët. Temperaturat do të jen të ulëta, do të lëvizin nga intervali prej -4 deri më 1 gradë celsius. Gjatë ditës së nesërme gjithashtu do të ketë mot të vrenjtur me të reshura të borës dhe më shumë të reshura do të ketë në pjesët perëndimore të vendit. Temperaturat do të vazhdojnë të ulen në disa vende, apo saktësisht gjatë ditës së mërkurë do të ulen dhe deri në -15 gradë celsius dhe në disa vende deri –10 gradë celsius. Prej të premten do të kemi përmirësim të temperaturave”,- deklaroi Lençe Rizova nga Enti i Hidrometeorologjisë.
Qytetarët ankohen se po pastrohen vetëm rrugët kryesore e askush nuk mendon për rrugicat ku bora ka ngrirë.
“Them në rrugët kryesore është shkrirë bora, por në rrugica nuk është shkrirë. Kisha problem me veturën, nuk mund t’i ngisja si duhet parkova, diku më larg dhe tani eci në këmbë”,- u shpreh një qytetar.
“Po, u rrëzova qëparë”,- tha një qytetar.
“Vij nga Batinca, atje është më keq, këndej janë rrugët më të pastra”,- theksoi një qytetar.
Autoritetet apelojnë për kujdes gjatë vozitjes e për mosdalje pa nevojë në rrugë dhe shoferët t’u përmbahen udhëzimeve për vozitje në kushte dimri, jo vetëm në rrugët nacionale por edhe brenda në qytet.