Ministria e Shëndetësisë ende nuk ka publikuar rezultatet e autopsisë dhe ato të Komisionit të formuar mbi rastin e vdekjes së lehonës nga Kërcova, pavarësisht se të ata i posedon prej një javësh.
Dëbora Xhambazi, ndërroi jetë javë më parë gjatë procesit të lindjes në spitalin privat “Sante Plus”. Ministri Filipçe njoftoi se gjatë ditës do të publikojë raportet, por deri në këto momente, akoma nuk ka asgjë. Jozyrtarisht, rezultatet e autopsisë kanë treguar se vdekja e 31 vjeçares ka ardhur si pasojë e vendosjes së një tubi gabimisht në kanalet e ezofagut në vend të mushkërive.
“Gjatë javës së kaluar arriti raporti i Komisionit të cilin e formoi Ministria e Shëndetësisë që ta shqyrtojë rastin dhe rrethanat në të cilat ndodhi rasti si dhe raportin e Institutit të Mjekësisë Ligjore nga autopsia e pacientes. Unë kam bërë konsultime shtesë gjatë javës së kaluar edhe me timin e Mjekësisë Ligjore edhe me anëtarët e Komisionit që e formuam në ministri, gjatë ditës së sotme do të dalim me komunikatë zyrtare dhe qëndrim nga ministria. Ndërkaq sa i përket rezultateve të autopsisë nuk dua të komentoj pasi është dërguar në Prokurorinë e Përgjithshme, është lëndë hetuese” – deklaroi Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë.
Nga Prokuroria Themelore Publike nuk japin detaje lidhur me rastin.
Prokuroria Themelore Publike – Shkup
“Në Prokurorinë Themelore Publike Shkup ka mbërritur Raport nga autopsia e kryer e cila është lëndë e shqyrtimit dhe analizës nga ana e prokurorit kompetent. Për verifikimin e mëtejshëm të fakteve, prokurori kompetent ka ndërmarrë edhe veprime të tjera për të cilat për shkak të fshehtësisë së procedurës për momentin nuk mund të ju njoftojmë”.
Për vdekjen e 31 vjeçares Debora Xhambazi spitali privat mohonte se kishte ndodhur tek ta, duke thënë se në momentet e fundit e kishin dërguar për në Klinikën shtetërore për Anestezion, reanimacion dhe kujdes intensiv. Por nga kjo e fundit kishin mohuar një gjë të tillë duke thënë se pacientja tek ta kishte mbërritur e vdekur. Deri më tani vetëm një anesteziolog i cili ka bërë lindjen së bashku me dy gjinekologë nga Spitali janë suspenduar nga puna sepse atje kanë qenë ilegalisht, gjegjësisht nuk kanë poseduar marrëveshje me spitalin. Foshnja e lindur nga 31 vjeçarja tani ndodhet në gjendje të qëndrueshme, edhe pse javën e parë pas lindjes, ishte në rrezik të lartë për jetën.