Punësim në Gjermani, procedura e re zgjat vetëm 14 ditë
Që prej nëntorit të vitit 2017, procedurat e vizave të punës për shtetasit e Ballkanit Perëndimor janë më të thjeshta dhe realizohen brenda një etape.
Kur rregullorja për rajonin hyri në fuqi, më 1 janar 2016, procedura për të tilla raste ishte e dyfishtë. Punëmarrësit paraqitnin kërkesë për vizë te përfaqësitë e Gjermanisë në vendet e tyre, e njëkohësisht punëdhënësit kërkonin leje paraprake te Zyra e Punësimit në vendndodhjen e kompanisë, e kjo bënte që procesi të zgjaste me muaj të tërë.
“Tanimë ai është thjeshtuar, sepse miratimi paraprak nga Zyra e Punësimit nuk është më i nevojshëm”, sqaruan për “Deutsche Welle”-n burime nga Ministria e Jashtme gjermane.
Aktualisht, sipas tyre, mjafton që kandidati të paraqesë në Ambasadën e Gjermanisë të gjitha dokumentet e nevojshme, duke përfshirë edhe vërtetimin nga punëdhënësi. Pasi të jenë dorëzuar dokumentet në konsullatë, kontrollohen nga autoritetet përkatëse në Gjermani, e nëse kushtet plotësohen, atëherë jepet edhe viza.
Një prej verifikimeve të bëra është nëse ka ndonjë shtetas gjerman ose europian me të njëjtin kualifikim që ka aplikuar për të njëjtin vend pune, për këtë arsye dokumentet u dërgohen edhe zyrave të punës.
Verifikimi, normalisht nuk zgjat më shumë se 14 ditë. Nëse ka vonesa, atëhere kjo lidhet me rrethanat individuale të aplikuesit. Kushtet që duhen plotësuar për marrjen e vizës së punës kanë mbetur të njëjtat: punësimi në ndërtim ose gastronomi nuk kërkon as njohuri gjuhe e as njohuri profesionale. Vetëm për infermierët ose kujdestarët mjekësorë kërkohen njohuri gjuhe dhe dëshmi licencimi ose diploma të shkollës profesionale.
T.CH