Oferta e vitit të ri: Tre zv/Ministra, 20 Drejtori, 1 Sekretar shtetëror dhe Zv.Kryeministri në paket për PDSH-në e Menduh Thaçit
Pas largimit të Aleancës për Shqiptarët nga koalicioni qeveritar, një parti tjetër pritet të bëhet pjesë e pushtetit. Në lojë siç shpekulohet mund të jetë PDSH, por edhe opsione tjera që po shqyrtohen nga ana e kryeministrit Zoran Zaev dhe Ali Ahmetit.
Oferta e hapur për çdo partner të ri janë postet e zbrazëta të ASH-së, pas largimit të saj nga Qeveria, siç janë një ministri për investime, tre zv/ministra: transport dhe lidhje, MPJ dhe punë dhe politika sociale. Përveç kësaj vende vakante do të krijohen edhe posti i sekretarit shtetëror në drejtësi, si dhe rreth 20 drejtori të ndara për ASH, sipas marrëveshjes, por që nuk ishin plotësuar deri në fund.
Ditëve të fundit janë shtuar zërat se këto vende janë të rezervuara për PDSH, por nga kjo parti nuk flasin rreth kësaj teme, duke theksuar se qëndrimi i tyre do të theksohet pas festave të fundvitit.
Por nga ana tjetër, një nga opsionet është që BDI të plotësojë këto vende dhe një pjesë e vogël e tyre ti ndahet partive më të vogla të koalicionit, apo deputetëve të pavarur që po përkrahin maxhorancën. Kryeministri Zoran Zaev dy ditë më parë theksoi se dera mbetet e hapur për të gjithë ata që duan të kontribojnë si pjesë e Qeverisë. (INA)