Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, pjesë e koalicionit parlamentar “Aleanca për Shqiptarët”, në takim me mërgimtarët shqiptarë në SHBA ka folur edhe për koalicionimin e partisë së tij me Bashkimin Demokratik për Integrim, duke bërë të ditur se tashmë ata, si koalicon kanë dy deputetë sepse njëri ka kaluar në Bashkimin Demokratik për Integrim, raporton Portalb.mk.
Meqë, Aleanca për Shqiptarët si depuetë të saj kishte Ziadin Selën, Surija Rushidin dhe Vesel Memedi, siç mund të kuptohet, deputeti që ka shkuar në BDI është ky i fundit.
“Fillimisht unë nuk kam pasur koalicion me BDI-në as para 27-prillit. Pas 27-prillit është formuar qeveria. Unë nuk kam bërë koalicion me BDI-në por kemi bërë shumicë të re parlamentare për ta rrëzuar një regjim që ishte në krye me VMRO-DPMNE-në. Pa marrë parasysh ofertave dhe joshjeve që mi ka ofruar mua ai regjim që i keni dëgjuar në mjetet e informimit edhe për shumat e parave. Nuk kam pranuar ofertat sepse jam në politikë për të përfaqësuar popullin e jo për të fituar. Kurrë nuk kam bërë koalicion me BDI-në, por problemi ishte se nuk mund të bëhet shumicë parlamnetare. Ne i kemi pasur 3 deputetë, tash në fakt i kemi dy se njëri ka lëvizur nga BDI-ja
Ai ka dërguar kritika edhe ndaj liderit të Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë (LSDM), Zoran Zaev për siç thotë ai, sepse po lufton vetëm kriminelët në pjesën sllave.
“Zaevi gojën plot e ka për reforma në drejtësi, asgjë nuk po bën. Po lufton vetëm kriminelët në pjesën sllave, e jo në pjesën shqiptare. Edhe ne kemi fëmijë, ata kriminelët shqiptarë po sulmojnë fëmijët tanë në lagjet tona. Kështu nuk reformohet Maqedonia”, tha Sela.
Sela gjithashtu ka folur edhe për atë se ku mbet Platforma Shqiptare duke fajësuar Lëvizjen BESA dhe PDSH-në.
“Tryeza erdhi si ide dhe vendi i vetëm ku do të përfaqësohen të gjithë shqiptarët, pa marrë parasysh rivalitetin tonë si parti politike. Kjo tryezë e partive politike do të ketë mundësi të sjellë edhe deklarata tjera, vendime tjera, vendime tjera që do të jenë të njëzëshme për qytetarët shqiptarë për të bërë presion ndaj bllokut shqiptar. Nuk mund të them se jam i kënaqur nga mënyra e funksionimit të kësaj tryeze, sepse ajo fillimisht u refuzua nga Lëvizja BESA dhe e dyta, u humb serioziteti sepse u ftuan liderë të cilët nuk kanë qenë përfaqësues të shqiptarëve”, tha Sela.