28 Nëntor, 28 mijë dhimbje në shpirt.
Më thoni si të festoj këtë datë, më jepni një arsye për ta festuar këtë datë, kur bijtë më të mirë të Shqipërisë i vranë, ndërsa ata që i lanë të gjallë kalben edhe sot e kësaj dite nëpër burgjet e ndryshme të pushtuesve të njëjtë. Për ironi të fatit të tyre dhe tonin, këto burgje famkëqia që pinë gjakun e Shqiptarëve,janë të ndërtuar dhe vazhdojnë të ndërtohen në pjesët të cilat i takojnë Shqipërisë.
Ata të cilët jetonin në kohën e vitit 1912 punuan dhe merituan ta festojnë këtë datë, por ne çfarë kemi bërë vallë?! A kemi luftuar 25 vite për të mbajtur gjallë Flamurin siç e mbajti Skënderbeu, a kemi shpallur ndonjë lidhje siç ishte Lidhja e Prizrenit, a kemi fituar ndonjë vëllazëri intelektualësh siç ishin Frashërit, a kemi punuar për ndonjë rilindje siç punuan Rilindasit për Kombin e tyre?!
Vallë si të kaloj pranë varrezave të dëshmorëve, Nuriut, Naserit dhe Gëzimit, apo ta shoh në sy nesër Rafiun, e Rrahimin, e gjithë atyre që flijuan jetën për një Shqipëri të lirë dhe të bashkuar; por jo me të njëjtin ideal që e kishin të parët tanë, se sot atë ideal na e kanë shkelur dhe përdhunuar manipuluesit, tradhëtarët që nuk di si t’i quaj më tej.
Mua më vjen turp të festoj këtë datë, sepse ne as edhe një grimcë pune s’kemi punuar për atdheun tonë që akoma frymon mbi hartat e copëzuara të Konferencës së Ambasadorëve në Londër në vitin 1912-1913.
Blerona Brao