Në tregun automobilistik të Maqedonisë po shënohet rritje e butë e importit të veturave të reja dhe ulje e madhe e importit të veturave të vjetrave, shkruan gazeta KOHA. Në dhjetë muajt e parë të këtij viti, shënohet rritje e importit prej 276 veturash të reja dhe rënie e importit prej 3957 vetura të vjetra, në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas të dhënave të Doganës, në periudhën janar – tetor, në vend janë importuar 4445 vetura të reja, që paraqet një rritje të butë në raport me 4169 vetura të reja të importuara në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Njëherazi, në dhjetë muajt e parë të këtij viti, janë importuar 18.256 vetura të vjetra, që paraqet një ulje të madhe prej gati 4000 vetura në raport me 22213 vetura të vjetra të importuara në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Është ngadalësuar dukshëm edhe importi i kamionëve dhe autobusëve në dhjetë muajt e parë të këtij vit në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluara.
Në periudhën janar-tetor 2017, janë importuar 663 kamionë të rinj, në raport me 595 kamionë të rinj në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Gjithashtu shënon rënie prej 1799 në 1667 numri i kamionëve të vjetër të importuar në këtë periudhë. Rritje shënohet vetëm tek importi i autobusëve të rinj, prej 3 në 6, ndërsa rënie ka edhe, prej 145 në 101 autobusë të vjetër, të importuar në periudhën respektive.
Ekspertët e automobilizmit vlerësojnë se standardi në rënie, ngopja e tregut me vetura të vjetra dhe të volitshme me çmim si dhe fuqia e dobësuar blerëse e popullatës, është reflektuar edhe te tregu i veturave, ku blerësit vështirë përcaktohen për blerjen e veturave të reja. Nga ana tjetër, edhe përkundër lirimeve të mëdha, pajisjes së begatshme, fushatave të ndryshme dhe ofertave përmes bankave, kjo nuk ka ndikim pozitiv te blerësit e veturave të reja. Gjithashtu kompanitë e transportit kalkulojnë me harxhimet e ndryshme dhe mbijetesën në treg dhe vështirë e kanë të rinovojnë parkun e tyre vozitës.
Vlerësohet se kaloi euforia e madhe e importit të veturave të vjetra dhe të reja, ku si rrjedhojë e liberalizimit në vitin 2010 u importuan afër 51 mijë vetura të vjetra dhe 7000 vetura të reja si rrjedhojë e situatës më stabile ekonomike, numrit të madh të kredive automobilistike, por edhe blerjeve nga ana e institucioneve të ndryshme shtetërore.
Edhe shtrëngimi i kritereve për importin e veturave të vjetra, në mënyrë shtesë uli importin dhe indirekt edhe shitjen e veturave të vjetra. Në vitin e kaluar u ndalua importi i veturave me standardin EURO-3 apo më të vjetra se viti 2005. Njëherazi, disa vite me radhë shënohet edhe ulja e interesimit të qytetarëve që të blejnë veturë të re përmes huave në banka. Sipas të dhënave të Bankës Popullore të Maqedonisë, shënohet ulje vjetore prej pesë për qind e kredive automobilistike.
Ndryshe, në konsumin e derivateve të naftës në Republikën e Maqedonisë, në vitin e kaluar dominon karburanti i dizelit me afër 64 për qind, pasojnë benzinat pa hekur me afër 12 për qind, gazi i lëngshëm me 8.5 për qind dhe mazuti me 8.2 për qind. Më pak janë harxhuar vaji ekstra i lehtë me 6.5 për qind, bitumeni me 0.5 për qind dhe kerozini i avionëve me 0.06 për qind. Vlen të theksohet se përgjatë periudhës 2013-2016 shënohet rritje prej 53 në 64 për qind të konsumit të dizelit në totalin e tregut të shitjes me pakicë të derivateve të naftës. Ulje prej 15 në 12 për qind shënon konsumi i benzinave pa hekur, ndërsa është përgjysmuar shitja e mazutit prej 15.8 në afër 8 për qind, tregojnë raportet e Komisionit Rregullator për Energjetikë.