Emri i ministrit të ri të shëndetësisë do të mësohet nga mesi i javës së ardhshme. Kryeministri Zaev tha se mbrëmë ka takuar dy partnerët e koalicionit Ziadin Selën dhe Ali Ahmetin, me të cilët ka biseduar për këtë çështje.
I pyetur nëse do të pranojë propozimin e partisë së Selës që Vullnet Ferati të udhëheqë me dikasterin e shëndetësisë, Zaev tha se për këtë çështja akoma nuk ka një vendim të prerë.
Ende nuk kemi vendosur për Ministrin e Shëndetësisë. Bëhet fjalë për një resor shumë të rëndësishëm, unë kam thënë që deri në fund të muajit presim që ti zgjidhim këto çështje. Dhjetë ditë pasi zgjedhjet zyrtarisht janë shpallur të mbyllura po bisedojmë intensivisht. Unë mbrëmë e kam shfrytëzuar momentin që të bisedojë edhe me Ziadin Selën por edhe me zotëri Ahmetin dhe me të gjithë partnerët e koalicionit. Sot përsëri kisha takime. Secilin moment po e shfrytëzojmë që një ditë më parë ta zgjidhim këtë çështje pra ta zgjedhim çështjen e ministrisë së shëndetësisë dhe të plotësojmë ministritë e tjera si ajo e Investimeve të Huaja dhe zëvendës ministri i Arsimit – dekalroi kryeministri Zoran Zaev.
Aleanca për Shqiptarët insiston të ruajë Shëndetësinë me propozimin e tyre Vullnet Feratin.
Alsat M mëson jozyrtarisht se në rast se LSDM-ja insiston të mbajë për vetë këtë post, atëherë Aleanca për Shqiptarët në këmbim do të kërkojë Transportin, Arsimin ose Punën dhe Politikën Sociale. Edhe në partinë e Ahmetit nuk treguan propozimet e tyre për postin e Ministrit pa portofol për investimet e huaja dhe zv.minisrit të arsimit. Integristët thonë se lideri i tyre Ahmeti është në komunikim të vazhdueshëm me kryeministrin Zoran Zaev për zgjidhjen e kësaj çështje.