Komisioni Rregullator për Energjetikë ka vendosur ulje të re të çmimeve të derivateve të naftës në Maqedoninë e Veriut, e cila do të nisë të zbatohet nga mesnata.
Sipas vendimit të ri, çmimi i naftës do të ulet për 3.5 denarë për litër, ndërsa benzina do të jetë më e lirë për 2 denarë për litër.
Me çmimet e reja, Eurodizeli do të kushtojë 88.5 denarë për litër, Eurosuper 95 do të shitet me 82 denarë, ndërsa Eurosuper 98 me 84 denarë për litër.
Ulje do të ketë edhe te vaji ekstra i lehtë për amvisëri, çmimi i të cilit do të zbresë për 2.5 denarë dhe do të jetë 98 denarë për litër.
Nga Komisioni Rregullator bëjnë të ditur se ulja mesatare e çmimeve të derivateve është 2.28 për qind, si rezultat i lëvizjeve dhe rënies së çmimeve në tregjet ndërkombëtare.














