Sunday, November 22, 2026
Nabizi Gega KFC
789184-C9-03-B5-41-CF-9-D59-B2523658-B380
1ab55e5d-f5c3-470d-bec1-df1777c5234e
HomeOpinionLindim Etemi: Të festosh Ditën e Alfabetit dhe të heshtësh për gjendjen...

Lindim Etemi: Të festosh Ditën e Alfabetit dhe të heshtësh për gjendjen e mjerueshme të shqiptarëve të Manastirit është një patriotizëm i rremë, që mbaron sapo përfundon ceremonia

Lindim Etemi (Struga Ekspres)

Ju politikanë shqiptarë, si në Maqedoninë e Veriut, ashtu edhe në Shqipëri, sot vraponi drejt Manastirit për të festuar, për të mbajtur fjalime, për të bërë fotografi dhe për të shpërndarë mesazhe patriotike.

Por a ju kujtohet se në këtë qytet jetojnë shqiptarë edhe 364 ditët e tjera të vitit? A ju intereson në çfarë kushtesh jetojnë, sa përballen me varfërinë, sa ndihen të diskriminuar dhe sa shpesh mbeten jashtë vëmendjes suaj?

Është e lehtë të flasësh për historinë, për alfabetin, për identitetin dhe për krenarinë kombëtare, kur kamerat janë ndezur dhe kur një festë ju jep mundësinë të shfaqeni.

Por patriotizmi nuk është një fotografi e realizuar në Manastir, as një fjalim i mbushur me fjalë të mëdha. Patriotizmi është të mos i harrosh njerëzit, të mos i braktisësh dhe të mos i përdorësh vetëm për simbolikë kombëtare.

Paradoksi është edhe më i madh kur këtë ditë e feston edhe Shqipëria, ku 22 Nëntori është festë zyrtare. Politikanët shqiptarë nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria flasin për gjuhën, për identitetin dhe për trashëgiminë kombëtare, por sa prej tyre e kanë ngritur zërin me të njëjtën forcë për shqiptarët e Manastirit, për varfërinë, diskriminimin dhe problemet me të cilat ata përballen?

Shqiptarët e Manastirit nuk janë dekor i Kongresit të vitit 1908. Ata janë njerëz, janë familje, janë fëmijë dhe qytetarë që meritojnë dinjitet, mundësi të barabarta dhe vëmendje të vazhdueshme. Nuk mund të kujtohen vetëm kur kalendari shënon 22 Nëntorin.

Të festosh alfabetin dhe të heshtësh për gjendjen e shqiptarëve të Manastirit është një patriotizëm i rremë, që mbaron sapo përfundon ceremonia.

(Struga Ekspres)

AS-Event
REKLAMONI KETU! REKLAMONI KETU!
AS-Event
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments

error: Content is protected !!