NJË VIT QEVERISJE: SHUMË PREMTIME, SHUMË ARSYETIME, POR KU JANË REZULTATET?
Ka kaluar një vit nga ardhja e Mendi Qyrës në krye të Komunës së Strugës. Një vit nga fushata e premtimeve të mëdha, e projekteve ambicioze dhe e zotimeve për një Strugë ndryshe.
Sot, një vit më vonë, është koha që premtimet të përballen me realitetin.
Si Degë e Lidhjes Shqiptare në Strugë, kërkojmë përgjigje për atë që është realizuar, për atë që është financuar dhe për atë që ka mbetur vetëm në letër.
UJËSJELLËSI – NGA KRYEFJALA E FUSHATËS NË PROBLEMIN E PËRDITSHËM!
Uji ishte një nga temat kryesore të fushatës së Mendi Qyrës. U premtua rinovimi i të gjithë sistemit të ujësjellësit dhe furnizim i qëndrueshëm me ujë të pijshëm. Por çfarë kemi sot?
Gjatë këtij viti, Struga është përballur me probleme serioze të furnizimit me ujë. Në shkurt, qytetarët mbetën për një periudhë të gjatë pa ujë të sigurt për përdorim, ndërsa në tetor u rikthyen reduktimet disaorëshe. Edhe drejtuesit e Ujësjellësit kanë pranuar se rregullimj i burimeve ende nuk ja filluar, pavarësisht premtimeve për ndërhyrje urgjente.
Uji, që duhej të ishte dëshmia më e fortë e “ndryshimit” të premtuar, vazhdon të jetë një nga shqetësimet më të mëdha të qytetarëve!
ARSIMI – KUR “KURSEHET” NË KURRIZ TË FËMIJËVE!
Ndërkohë që në programin zgjedhor premtoheshin investime në arsim, përmirësim i kushteve shkollore dhe hapje çerdhesh, gjatë vitit të parë të Mendi Qyrës u mbyllën tre shkolla me mësim në gjuhën shqipe, ndërsa shkolla të tjera me numër të ulët nxënësish, ku mësimi zhvillohet në gjuhën maqedonase, vazhdojnë të funksionojnë.
Kryetari është thirrur në arsyetime demografike, financiare dhe të transportit. Por këto arsyetime duhet të mbështeten me kritere të qarta, të dokumentuara dhe të zbatuara në mënyrë të barabartë për të gjitha shkollat.
Për më tepër, u miratua reduktimi i paraleleve dhe organizimi i paraleleve të kombinuara, pavarësisht shqetësimeve të ngritura për ndikimin në cilësinë e mësimit.
Vazhdon të mbetet pa përgjigje pyetja jonë: Kush i ka përcaktuar kriteret dhe ku janë analizat që i arsyetojnë këto vendime?
INFRASTRUKTURA
Në faqen 5 të programit zgjedhor, Mendi Qyra ka premtuar ndërhyrje të plota infrastrukturore çdo vit në 3 deri në 4 rrugë apo lagje të qytetit dhe në 2 deri në 3 zona rurale, duke përfshirë asfaltimin, ndërtimin e trotuareve, ndriçimin publik dhe shtigjet për biçikleta. Madje, ka premtuar një plan të detajuar prioritizimi, të hartuar mbi bazën e gjendjes ekzistuese dhe nevojave më urgjente të qytetarëve.
Një vit më vonë, premtimet vazhdojnë të mbeten në letër!
Në të njëjtin program premtohet edhe rregullimi i trotuareve, zgjerimi i rrjetit të shtigjeve për biçikleta, si dhe hapja e një hyrjeje të re të qytetit, përmes një korridori që do ta lidhte Strugën me Dollogozhdën, Livadhinë dhe Koroshishtin.
Ku gjenden sot këto projekte në planifikimin dhe financimin e Komunës? Cilat janë afatet dhe në cilën fazë ndodhet realizimi i tyre?
Sepse qytetarët nuk jetojnë në faqet e një programi zgjedhor, por në rrugët, lagjet dhe fshatrat ku presin përmirësime konkrete.
PARKINGJET – NUK U NDËRTUAN TË REJA, POR U SHTRENJTUA PARKIMI!
Një nga premtimet e Mendi Qyrës ishte ndërtimi i dy parkingjeve moderne, me kapacitet prej rreth 750–800 vendesh të reja parkimi.
Një vit më vonë, parkingjet e premtuara ende nuk janë ndërtuar. Në vend të tyre, qytetarët u përballën me rritje të çmimeve të parkimit.
TRANSPARENCA – NGA PREMTIMI PËR QEVERISJE TË HAPUR TE PYETJET PA PËRGJIGJE!
Në programin zgjedhor u premtuan raporte mujore publike, regjistër i kontratave dhe një platformë digjitale për monitorimin e investimeve.
Premtime të bukura për transparencë dhe llogaridhënie. Por një vit më vonë, qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë prova konkrete se këto mekanizma janë vënë në funksion.
Ku janë raportet mujore të premtuara? Ku është platforma ku qytetarët mund të ndjekin realizimin e investimeve? Ku është bilanci i qartë i premtimeve të vitit të parë?
Nëse këto mekanizma janë funksionalë, Komuna duhet t’i bëjë të qasshëm dhe t’i prezantojë publikisht.
Sepse transparenca nuk matet me numrin e postimeve në rrjetet sociale, as me fotografitë nga aktivitetet zyrtare.
Një vit pas zgjedhjeve, pyetja nuk është më çfarë premtoi Mendi Qyra, por çfarë ka realizuar nga ato premtime dhe çfarë përgjegjësie merr për problemet që vazhdojnë?
Besimi i qytetarëve nuk është çek i bardhë.
Mandati nuk është privilegj dhe Komuna nuk është pronë e askujt.
Struga meriton rezultate, transparencë dhe llogaridhënie!
ARSIM DALIPI
LIDHJA SHQIPTARE – DEGA STRUGË














