Friday, November 6, 2026
Nabizi Gega KFC
789184-C9-03-B5-41-CF-9-D59-B2523658-B380
1ab55e5d-f5c3-470d-bec1-df1777c5234e
HomeMaqedoniKufizohen pagesat online gjatë fundjavës, bankat paralajmërojnë ndërprerje të e-bankingut

Kufizohen pagesat online gjatë fundjavës, bankat paralajmërojnë ndërprerje të e-bankingut

Përdorimi i shërbimeve të e-bankingut do të jetë pjesërisht i kufizuar gjatë fundjavës, kanë njoftuar Stopanska Banka, Komercijalna Banka dhe NLB Banka përmes mesazheve drejtuar klientëve të tyre.

Qytetarët nuk do të mund të kryejnë pagesa online nesër, të shtunën, pas orës 14:00 dhe gjatë gjithë ditës së diel, për shkak se bankat në Maqedoninë e Veriut do të realizojnë përshtatje sistemore në lidhje me instrumentet e reja të pagesave.

Bankat bëjnë të ditur se gjatë fundjavës do të vazhdojnë të funksionojnë normalisht pagesat me kartela në terminalet POS në markete dhe dyqane, si dhe të gjithë bankomatët për tërheqjen dhe depozitimin e parave të gatshme.

Ndryshimet do të përfshijnë urdhërpagesat, kodet e qëllimit të pagesës dhe përdorimin e llogarive bankare në formatin IBAN. Qëllimi i këtyre përshtatjeve është mundësimi i zbatimit pa pengesa të ndryshimeve në shërbimet e përditshme bankare.

Numrat ekzistues të llogarive bankare nuk do të ndryshojnë, ndërsa përshtatjen e paraqitjes dhe përdorimit të llogarive në formatin IBAN në shërbimet elektronike dhe mobile do ta realizojnë vetë bankat.

Nga Shoqata e Bankave të Maqedonisë bëjnë të ditur se gjatë fundjavës të gjitha bankat do të realizojnë përshtatje teknike të planifikuara të sistemeve të tyre, në kuadër të përgatitjeve për zbatimin e standardeve të reja në qarkullimin pagesor në denarë, të cilat do të fillojnë të zbatohen nga e hëna, më 9 nëntor.

„Gjatë realizimit të aktiviteteve teknike, bankat paralajmërojnë ndërprerje të përkohshme ose qasje të kufizuar në disa shërbime, veçanërisht në transaksionet e pagesave. Mungesa e përkohshme e shërbimeve do të jetë e lidhur me këto përshtatje sistemore të planifikuara paraprakisht. Oraret e sakta të aktiviteteve, shërbimet që do të përfshihen dhe kohëzgjatja e pritshme e kufizimeve do të bëhen të ditura përmes njoftimeve individuale të bankave drejtuar klientëve të tyre“, thuhet në njoftimin e Shoqatës së Bankave.

Stopanska Banka ka njoftuar se nesër, të shtunën, qytetarët që përdorin shërbimet e bankingut digjital do të mund të krijojnë urdhërpagesa deri në orën 14:00. Pas kësaj ore, sistemi i e-bankingut nuk do të lejojë krijimin e urdhërpagesave as për ditën aktuale dhe as për data të ardhshme. Ky kufizim do të jetë në fuqi edhe gjatë së dielës, deri në hapjen e bankave të hënën.

Nga e hëna do të fillojë zbatimi i ndryshimeve në shërbimet e pagesave dhe llogaritë bankare, në përputhje me Ligjin për Shërbimet e Pagesave dhe Sistemet e Pagesave, si dhe vendimet përkatëse të Bankës Popullore.

Në kuadër të harmonizimit me standardin ndërkombëtar ISO 20022, do të bëhet standardizimi i urdhërpagesave dhe të dhënave për pagesat, kodet e qëllimit të pagesës, si dhe struktura e llogarive bankare në denarë.

Urdhërpagesat e reja dhe të standardizuara do të zëvendësojnë formularët aktualë PP10, PP30, PP40, PP50 dhe PP53, si në formë fizike ashtu edhe në atë elektronike.

Formularët e rinj do të jenë në format bardhezi, ndryshe nga urdhërpagesat aktuale me ngjyra. Ndërsa formularët në letër do të përshtaten veçmas për secilën bankë, duke përfshirë logon e bankës përkatëse në vetë formularin.

AS-Event
REKLAMONI KETU! REKLAMONI KETU!
AS-Event
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments

error: Content is protected !!