15-vjeçarja Zana Pollozhani prezanton romanin e saj të parë “Betimi i Pathyeshëm”
Një ngjarje e veçantë letrare u zhvillua më 27 shtator në ambientet e Hotel Laki në Ohër, ku autorja e re Zana Pollozhani prezantoi romanin e saj të parë, “Betimi i Pathyeshëm”.
Në një moshë kur bashkëmoshatarët e saj kanë një sërë interesash dhe aktivitetesh, Zana ka zgjedhur të shprehë botën e saj përmes letërsisë. Me imagjinatë, pasion dhe përkushtim, ajo ka hedhur hapin e parë në rrugëtimin e saj si autore, duke sjellë para lexuesve një histori me aventura dhe mesazhe njerëzore.
Gjatë ceremonisë së prezantimit, Zana shprehu mirënjohjen e saj për të gjithë ata që e kanë mbështetur gjatë këtij rrugëtimi, veçanërisht për prindërit dhe familjen, të cilët kanë qenë pranë saj deri në përfundimin dhe botimin e librit.
Një falënderim i veçantë iu drejtua edhe redaktorëve të veprës, z. Femi Arifi dhe prof. Bujar Balliu nga Pogradeci.
Në fjalën e tij, prof. Bujar Balliu vlerësoi talentin dhe përkushtimin e autores së re, duke theksuar se Zana ka zgjedhur një rrugë të veçantë krijimtarie në një moshë shumë të re. Ai solli si shembuj edhe shkrimtare të njohura që nisën të shkruanin herët, ndër to Edith Wharton dhe Nadine Gordimer.
Sipas prof. Balliut, romani i Zanës përcjell mesazhe si për të rinjtë, ashtu edhe për të rriturit. Përmes aventurave dhe përvojave të personazheve, libri nxit të rinjtë t’i japin kuptim jetës, ndërsa për të rriturit përcjell një mesazh human dhe të fuqishëm.
Një nga fragmentet e veprës që u veçua gjatë prezantimit ishte:
“Ata nuk mbetën peng i së kaluarës, as i kufijve që ndanë fëmijërinë për vite me radhë. Nga hiri i luftës lindi diçka më e fortë se urrejtja, lidhje që as koha, as frika nuk mund ta shkatërronin.”
“Betimi i Pathyeshëm” shënon kështu fillimin e një rrugëtimi të ri për Zana Pollozhanin në botën e letërsisë. Një debutim që sjell në vëmendje krijimtarinë e një autoreje të re dhe pasionin e saj për librin, imagjinatën dhe historitë që përcjellin mesazhe njerëzore.



























