Ziadin Sela mund të bëhet pjesë e qeverisë, por jo edhe pjesë e koalicionit VLEN. Kështu u përgjigj kryetari i VLEN-it, Bilall Kasami, i pyetur mbi mundësinë e hyrjes së Lidhjes Shqiptare në ekzekutiv pas takimit që Sela zhvilloi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Kasami theksoi se bisedimet për zgjerimin e kabinetit qeveritar janë të hapura për të gjithë ata që pranojnë programin e tij.
Kanë reaguar nga Lidhja Shqiptare, të cilët mohojnë se do të bëhen pjesë e pushtetit.
“Lidhja Shqiptare nuk e sheh veten pjesë të një konglomerati mbetjesh të llojllojshme që tregtojnë të drejtat e shqiptarëve në shkëmbim të pushtetit”, thonë nga Lidhja Shqiptare.
Diskutimet për një afrim të mundshëm të Selës me pushtetin u nxitën pas takimit të tij javë më parë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.













