Thursday, August 27, 2026
Nabizi Gega KFC
789184-C9-03-B5-41-CF-9-D59-B2523658-B380
1ab55e5d-f5c3-470d-bec1-df1777c5234e
HomeRajoni“Të qoftë e rëndë toka e zezë, Ratko Mladiq!

“Të qoftë e rëndë toka e zezë, Ratko Mladiq!

Dragan Bursaç, profesor i Filozofisë nga Sarajeva dhe analist politik

Ratko Mladiqi, krimineli i luftës, ka vdekur. Emri i tij prej kohësh lidhet me të vdekurit që la pas, me varrezat masive, me eshtrat e shpërndara në varreza dytësore e terciare, me fëmijët e vrarë të Sarajevës dhe me gjenocidin në Srebrenicë…

Dragan Bursaç, profesor i Filozofisë nga Sarajeva dhe analist politik Ratko Mladiqi, krimineli i luftës, ka vdekur. Emri i tij prej kohësh lidhet me të vdekurit që la pas, me varrezat masive, me eshtrat e shpërndara në varreza dytësore e terciare, me fëmijët e vrarë të Sarajevës dhe me gjenocidin në Srebrenicë.

Tani, këtë e dimë, mitologjia serbe do të përpiqet ta zhvendosë nga qelia e Hagës mes legjendave, martirëve dhe heronjve. Por një aktgjykim udhëton në kohë shumë më larg se çdo mit kombëtar: Ratko Mladiqi vdiq dhe përgjithmonë mbeti një kriminel lufte i dënuar me vendim të formës së prerë, i dënuar për gjenocid.

Kriminel, jo hero!
Gradat dhe epolete e gjeneralit i përkasin biografisë së tij ushtarake. Gjenocidi, varrezat masive dhe mijëra të vrarët i përkasin biografisë së tij historike. Dhe kjo biografi do të jetojë më gjatë se të gjitha muralet, këngët, ceremonitë mortore dhe mitet me të cilat do të përpiqen ta shndërrojnë nga një i dënuar në një “hero serb”.

Ratko Mladiqi vdiq si kriminel lufte i dënuar përfundimisht, me burgim të përjetshëm për gjenocidin në Srebrenicë, përndjekjen, shfarosjen, vrasjet, dëbimet, zhvendosjen e dhunshme të popullsisë, terrorizimin dhe sulmet e paligjshme ndaj civilëve të Sarajevës, si dhe për marrjen peng të pjesëtarëve të OKB-së.

Gjykata e Hagës la pas tij një vendim gjyqësor që do të zgjasë shumë më tepër se jeta e tij dhe se të gjitha përpjekjet për ta larë atë jetë përmes miteve nacionaliste.

Faza pas vdekjes e idolatrizimit
Vdekja e Ratko Mladiqit, pa dyshim, do të hapë një fazë të re të mitizimit të tij. Nacionalizmi serb prej dekadash ka një mekanizëm pothuajse të përsosur për ta kthyer humbjen historike në “fitore morale”, kriminelin në hero, aktgjykimin në “komplot”, ndërsa viktimat në një pengesë të pakëndshme për narrativën kombëtare.

Mladiqi tani mund të kalojë nga qelia e burgut drejt legjendës neoçetnike, nga legjenda në këngë, nga kënga në mural, nga murali në kafene e tribuna dhe, nëse shoqëria vazhdon ta ushqejë këtë gënjeshtër mjaft gjatë, ndoshta edhe në tekstet shkollore dhe në mendjet e fëmijëve të rinj që nuk e kanë parë luftën, por të cilëve të rriturit do t’u mësojnë të krenohen me një njeri të dënuar për gjenocid.

Këtu fillon beteja e tij e fundit me civilët e vrarë.

Dhe të vdekurit kanë një përparësi të madhe ndaj propagandës: kanë lënë pas eshtrat e tyre.

Trashëgimia e zezë
Kanë mbetur Potoçari. Kanë mbetur emrat e më shumë se tetë mijë boshnjakëve të vrarë në gjenocidin e Srebrenicës. Kanë mbetur familjet që për vite dhe dekada pritën që nga varrezat masive dytësore dhe terciare t’u vinin disa eshtra të djalit, babait, vëllait ose bashkëshortit, në mënyrë që më në fund të kishin diçka për të varrosur.

Ka mbetur Sarajeva, qyteti banorët e të cilit forcat e Mladiqit i mbajtën për vite nën terrorin e artilerisë dhe snajperëve.

Kanë mbetur Prijedori, Foça, Vlasenica, Zvorniku dhe e gjithë gjeografia e një vendi ku rruga ushtarake e Mladiqit mund të ndiqet përmes gjurmëve të gjakut, kampeve, dëbimeve dhe jetëve të shkatërruara.

Dhe ka mbetur Srebrenica si monumenti përfundimtar i “heroizmit” të tij.

Nga Srebrenica te pelenat
Një gjeneral përballë njerëzve të pambrojtur e të kapur, i rrethuar nga ushtria, armët dhe kamerat, mund të sillej si zot i jetës dhe vdekjes.

Pas luftës, i njëjti gjeneral u shndërrua në një të arratisur që për vite iu shmang drejtësisë. Njeriu, kulti i të cilit u ndërtua mbi një të ashtuquajtur trimëri ushtarake, kaloi pothuajse gjashtëmbëdhjetë vjet duke iu shmangur gjykatës, duke u fshehur në stalla derrash dhe kotecë pulash, derisa në vitin 2011 u gjet në Serbi dhe u dërgua atje ku mitologjia e tij u detyrua për herë të parë të përballej me provat.

Dhe pikërisht kjo është ndoshta pamja më e përsosur e Ratko Mladiqit:

Forcë përballë të pambrojturve dhe fshehje përballë drejtësisë.

Nuk ka këtu asnjë hero antik, asnjë komandant epik, asnjë kalorës kosovar, siç do të përpiqet ta paraqesë propaganda nacionaliste. Pas gjithë kësaj ikonografie qëndron një njeri, njësitë e të cilit vranë civilë, rrugëtimi i të cilit gjatë luftës përfundoi me aktakuzë, paslufta e të cilit u shënua nga arratisja dhe jeta e të cilit përfundoi pas mureve të burgut, me një dënim të përjetshëm dhe me fjalën gjenocid të regjistruar pranë emrit të tij.

Tani do të fillojnë tregimet për vuajtjet e tij
Do të flitet për sëmundjet, pleqërinë, burgun, familjen dhe vdekjen larg Serbisë. Do të thuhet se gjenerali vuajti, se Haga ishte mizore, se duhej t’i ishte mundësuar që ditët e fundit t’i kalonte pranë të vetëve.

Empatia njerëzore ndaj një njeriu të moshuar dhe të sëmurë është diçka e natyrshme. Por pikërisht këtu fillon ajo llogari e tmerrshme morale që përkrahësit e Mladiqit vazhdimisht refuzojnë ta bëjnë.

Mijëra viktima të tij nuk patën as mëshirë, as pleqëri.

Djemtë e Srebrenicës nuk patën mundësinë të mbushnin tetëdhjetë vjeç, të shtriheshin në një shtrat spitali, të kishin avokatë, ankesa dhe vite gjatë të cilave fëmijët e nipërit e tyre do t’i vizitonin.

Fëmijët e Sarajevës të vrarë nga granatat dhe snajperët nuk patën mundësinë të plakeshin.

Njerëzit e nxjerrë përpara skuadrave të pushkatimit nuk patën të drejtë të kërkonin lirimin e parakohshëm.

Nënat e tyre morën qese me eshtra, ndonjëherë të gjetura vite larg njëra-tjetrës.

Prandaj, vdekja e Ratko Mladiqit e mbyll jetën e një njeriu, por hap një pyetje shumë më të rëndësishme:

Çfarë do të bëjnë shoqëritë me vdekjen e tij, shoqëri që për dekada e kanë glorifikuar?

Çfarë na pret?
Përgjigjen mund ta hamendësojmë. Do të shohim qirinj, murale, flamuj, ceremoni mortore, emisione televizive dhe politikanë që do t’i zgjedhin me kujdes fjalët, që të mos e ofendojnë pa dashje elektoratin e edukuar mbi mitin.

Do të dëgjojmë “gjenerali Mladiq” shumë më shpesh sesa “krimineli i luftës Ratko Mladiq”.

Do të shfaqen tregime për një martir, për një njeri që “mbrojti popullin e vet”, për Hagën si burg për serbët dhe për aktgjykimet si vazhdim i luftës me mjete të tjera.

Vdekja do të përdoret si lëndë e fundit për fabrikën e gënjeshtrës kombëtare.

Mund t’i ndërtojnë murale, t’i këndojnë këngë, të ndezin qirinj, t’i vënë emrin rrugëve dhe ta kthejnë vdekjen e tij në ritual kombëtar. E gjithë kjo mund të zgjasë me vite, ndoshta edhe me breza.

Historia ka më shumë kohë se propaganda.

Dhe historia do ta ruajë pranë emrit të Ratko Mladiqit atë prej së cilës nuk ka më fshehje:

Kriminel lufte i dënuar përfundimisht, i dënuar për gjenocid në Srebrenicë.

Të qoftë e rëndë toka e zezë, Ratko Mladiq.

AS-Event
REKLAMONI KETU! REKLAMONI KETU!
AS-Event
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments

error: Content is protected !!