Banorët e Tateshit të Poshtëm dhe Misllodezhdës zhvilluan sot një aksion të përbashkët për përmirësimin e gjendjes së rrugës që lidh këto fshatra me Novosellën.
Aksioni kishte për qëllim mbushjen dhe rregullimin e bankinave të rrugës, duke kontribuar në përmirësimin e kushteve të qarkullimit dhe rritjen e sigurisë për drejtuesit e automjeteve dhe banorët që përdorin këtë rrugë.
Në aksion morën pjesë banorë dhe vullnetarë nga të dyja bashkësitë lokale, ndërsa një kontribut të rëndësishëm dhanë edhe qytetarët që mbështetën nismën me mjete financiare, materiale dhe pajisje të nevojshme për punimet.
Organizatorët e aksionit shprehën mirënjohje për të gjithë pjesëmarrësit dhe kontribuesit, duke theksuar se bashkëpunimi mes dy fshatrave është dëshmi e solidaritetit dhe vullnetit të përbashkët për të përmirësuar kushtet në komunitet.
“Kur bashkohemi, mund të bëjmë shumë për vendin tonë”, ishte mesazhi i përcjellë nga Bashkësia Lokale e Tateshit të Poshtëm dhe Bashkësia Lokale e Misllodezhdës.
Aksioni i sotëm tregon se angazhimi i drejtpërdrejtë i banorëve mund të japë rezultate konkrete në përmirësimin e infrastrukturës lokale dhe në krijimin e kushteve më të mira për komunitetin.
(Struga Ekspres)











































