Lindim Etemi
Një verë pa mërgimtarët, Struga mund të fikë drita, qyteti jeton edhe nga ata që kthehen një herë në vit.
Në muajt e verës, Struga merr jetë falë mijëra mërgimtarëve që kthehen në vendlindje, sjellin familjet, mbushin rrugët, lokalet, plazhet, hotelet dhe bizneset.
Por shtrohet një pyetje që duhet marrë seriozisht se çfarë do të ndodhte me Strugën nëse një verë mërgimtarët vendosin të mos vijnë?
Përgjigjja do të ishte e dhimbshme.
Pa mërgimtarët, shumë biznese do ta ndienin menjëherë mungesën e klientëve. Restorantet dhe kafeteritë do të ishin më bosh, hotelet do të kishin më pak mysafirë, ndërsa shumë familje që presin muajt e verës për të siguruar një pjesë të të ardhurave vjetore do të përballeshin me një goditje të madhe.
Sepse realiteti është i qartë, mërgimtari është një nga shtyllat e verës së Strugës.
Ai nuk vjen vetëm për të bërë pushime. Shpesh vjen me familjen, shpenzon në qytet, konsumon në bizneset lokale, viziton të afërmit, investon, rinovon shtëpinë dhe, mbi të gjitha, mban gjallë një lidhje që Struga nuk duhet ta marrë kurrë si të mirëqenë.
Prandaj, nëse një ditë mërgimtarët thonë “këtë verë nuk vijmë”, Struga do ta kuptojë sa e madhe është pesha e tyre.
Kjo nuk duhet parë vetëm si çështje ekonomike. Është edhe një çështje e marrëdhënies së qytetit me diasporën. Mërgimtarët duhet të ndihen të mirëpritur, të respektuar dhe të sigurt. Qyteti duhet të jetë i pastër, i organizuar dhe funksional, ndërsa shërbimet dhe çmimet duhet të jenë në raport me atë që ofrohet.
Sepse mërgimtari mund të vijë një herë në vit, por mungesa e tij mund të ndihet gjatë gjithë vitit.
Dhe një verë pa ta do t’i jepte Strugës një mësim të hidhur.
Struga nuk mund të sillet sikur mërgimtarët janë të përhershëm. Një ditë ata mund të mos vijnë,dhe atëherë qyteti do ta ndiejë vërtet sa shumë varet prej tyre.
Lindim Etemi (Struga Ekspres)













