Rruga Strugë–Qafë Thanë vijon të mbetet një nga segmentet rrugore që shqetëson më së shumti banorët e zonës, për shkak të parakalimeve të rrezikshme dhe shkeljeve të rregullave të qarkullimit, shkruan Struga Ekspres.
Sipas banorëve, në këtë aks rrugor parakalimet kryhen edhe në vija të plota dhe në kthesa me pamje të kufizuar, duke rrezikuar drejtpërdrejt jetën e drejtuesve të mjeteve dhe pasagjerëve.
Banorët shprehen veçanërisht të shqetësuar për sjelljen e disa drejtuesve të automjeteve, përfshirë edhe shtetas të huaj, të cilët, sipas tyre, kryejnë manovra të rrezikshme dhe parakalime në vende të palejuara.
“Duhet të ketë më shumë kontrolle policore në këtë rrugë”, kërkojnë banorët, duke bërë thirrje për prani më të madhe të policisë dhe masa më të rrepta ndaj drejtuesve që shkelin rregullat.
Shqetësimi i tyre vjen edhe për shkak të aksidenteve të shumta që kanë ndodhur ndër vite në këtë zonë. Ata kërkojnë që institucionet përgjegjëse të ndërhyjnë sa më shpejt, me kontrolle të shtuara dhe masa parandaluese, për të shmangur tragjedi të tjera.
Rruga Strugë–Qafë Thanë është një arterie e rëndësishme e qarkullimit, ndaj respektimi i rregullave dhe rritja e sigurisë në këtë segment mbeten një kërkesë e vazhdueshme e komunitetit.
(Struga Ekspres)













