Dr.Prof.Ferat Polisi
KOMBI SI VLERË DHE SHTETI SI PËRGJEGJËSI!
Miq të mi,
Kur historia kërkon bashkim, përgjigjja jonë nuk mund të jetë përçarja. Kemi bindjen e plotë se ka momente kur një komb duhet të shkëputet për një çast nga zhurma e politikës së ditës, nga interesat e ngushta dhe nga rivalitetet e përkohshme, për ta parë tërësinë e rrugëtimit të tij. Pikërisht në këto momente, pjekuria politike matet me aftësinë për ta dalluar atë që na ndan përkohësisht nga ajo që na bashkon historikisht!
Të dashur miq,
Kosova përballet me një sfidë të rëndësishme politike dhe institucionale, e cila lidhet edhe me procesin e zgjedhjes së Presidentit. Në momente të tilla, funksionaliteti i institucioneve dhe aftësia e aktorëve politikë për të ndërtuar konsensus marrin një rëndësi që tejkalon interesat e momentit!
Në Maqedoninë e Veriut, çështja e realizimit efektiv të të drejtave të shqiptarëve dhe e përdorimit të gjuhës shqipe mbetet një provë e rëndësishme për karakterin demokratik dhe juridik të shtetit. Garantimi formal i një të drejte nuk është i mjaftueshëm; vlera e saj matet në shkallën e realizimit të saj konkret në jetën institucionale dhe shoqërore!
Shqipëria, në këtë kontekst rajonal, duhet të zhvillojë një diplomaci më aktive, më të artikuluar dhe më strategjike në mbështetje të stabilitetit, demokracisë dhe të drejtave të shqiptarëve në rajon. Kjo nuk nënkupton ndërhyrje në punët e brendshme të shteteve të tjera, por ushtrimin e një diplomacie të përgjegjshme, të mbështetur në argument, interes strategjik dhe standarde ndërkombëtare!
Ndërkohë, qëndrimi i Ukrainës ndaj Kosovës, i shprehur edhe në Beograd, duhet të lexohet përtej dimensionit emocional. Ai na rikujton një realitet themelor të marrëdhënieve ndërkombëtare: shtetet veprojnë mbi bazën e interesave, kalkulimeve strategjike dhe aleancave, ndërsa parimet marrin peshë reale vetëm kur shoqërohen me kapacitet diplomatik dhe politik për t’i mbrojtur ato!
Pikërisht për këtë arsye, shqiptarët duhet ta kuptojnë se koha kërkon jo vetëm reagim ndaj zhvillimeve, por aftësi për t’i paraprirë atyre përmes një vizioni strategjik të përbashkët
Dhe pikërisht këtu qëndron mësimi!
Edhe ju do të pajtoheni me qëndrimin tonë se Shqiptarët kanë nevojë për një strategji, jo për një tjetër mekanizëm të përkohshëm politik. Jo për një parti, jo për një lider dhe jo për një grup interesi, por për një vizion strategjik kombëtar, i cili i tejkalon ciklet zgjedhore dhe interesat e momentit!
Në Kosovë, partitë mund të kenë ide të ndryshme. Është normale. Demokracia kërkon pluralizëm.
Por ekzistojnë momente kur interesi i shtetit duhet të jetë mbi interesin e partisë.
Zgjedhja e Presidentit nuk duhet të shndërrohet në një tjetër betejë që e bllokon Kosovën.
PDK, LDK, AAK, Vetëvendosje dhe të gjitha forcat politike duhet të kuptojnë:
Kosova nuk është pronë e askujt.
Qeveritë ndryshojnë.
Presidentët ndryshojnë.
Partitë ndryshojnë.
Kosova mbetet.
Prandaj duhet të gjendet një marrëveshje që e nxjerr vendin nga ngërçi dhe i jep institucioneve stabilitet.
Në Maqedoninë e Veriut shqiptarët nuk kërkojnë privilegje.
Kërkojnë atë që u takon, barazi.
Nëse gjuha shqipe është e garantuar, ajo duhet të funksionojë në administratë, gjykata, arsim dhe institucionet shtetërore.
Nuk mjafton një ligj, duhet zbatim.
Nuk mjafton një deklaratë, duhet përgjegjësi.
Dhe këtu partitë shqiptare duhet të jenë të bashkuara.
Sepse kur flitet për gjuhën shqipe, nuk duhet të ketë VLEN, BDI, ASH apo parti të tjera.
Duhet të ketë një zë të qartë!
E drejta e shqiptarit për gjuhën e tyre nuk negociohet për pushtet.
Shqipëria ka një rol të rëndësishëm.
Jo për t’u përzier në zgjedhjet e të tjerëve.
Jo për t’u bërë pjesë e konflikteve partiake.
Por për të qenë një shtet që mbron me diplomaci, ligj dhe argument të drejtat e shqiptarëve në rajon.
Më shumë diplomaci, më shumë ekonomi, më shumë investime, më shumë bashkëpunim.
Më shumë koordinim me Kosovën dhe shqiptarët në rajon.
Besojmë se pajtohemi të gjithë se një Shqipëri e fortë është një shtyllë për shqiptarët kudo që jetojnë.
Qëndrimi i Ukrainës për Kosovën duhet të na bëjë të mendojmë.
Nuk mjafton të zemërohemi, duhet të kuptojmë realitetin.
Në politikën ndërkombëtare shtetet ndjekin interesat e tyre. Prandaj Kosova duhet të jetë edhe më aktive.
Të ndërtojë aleanca.
Të forcojë marrëdhëniet me shtetet që e njohin.
Të kërkojë njohje të reja.
Të forcojë ekonominë.
Të forcojë institucionet.
Sepse një shtet i fortë brenda është më i fortë edhe jashtë.
Ne mund të kemi bindje të ndryshme, mund të votojmë parti të ndryshme, mund të kritikojmë njëri-tjetrin, por kur preket interesi kombëtar, duhet të dimë të bashkohemi.
Partitë janë të përkohshme.
Kombi është i përhershëm.
Liderët ndryshojnë.
Kombi mbetet.
Qeveritë bien.
Shtetet duhet të qëndrojnë.
Prandaj pyetja sot nuk duhet të jetë:
“Cila parti fitoi?”
Pyetja duhet të jetë:
“Çfarë fitoi kombi?”
Nëse fitoi Kosova — kemi fituar të gjithë.
Nëse shqiptari në Maqedoninë e Veriut gëzon të drejtat e tij — kemi fituar të gjithë.
Nëse Shqipëria bëhet më e fortë — kemi fituar të gjithë.
Nëse shqiptarët mësojnë të bashkëpunojnë pa hequr dorë nga demokracia — kemi fituar të gjithë.
Në fund të fundit, historia nuk do të na gjykojë vetëm për atë se çfarë partie kemi mbështetur, por për atë se çfarë kemi bërë kur interesi i përbashkët ka qenë më i madh se interesi ynë individual apo partiak!
Kombi mbi të gjitha!
Bashkimi mbi përçarjen!
Interesi kombëtar mbi interesin partiak!













