Platforma për barazi gjinore kërkon që institucionet të hetojnë në formë të pavarur dhe transparente rastin e 19-vjeçares Stanka Mihajllova, e cila pas lindjes me prerje cezariane po përballet me pasoja të rënda shëndetësore dhe aktualisht është në karrocë invalidësh, transmeton Portalb.mk.
Nga platforma kërkojnë që institucionet kompetente të sigurojnë një procedurë plotësisht të pavarur, transparente dhe të detajuar profesionale për përcaktimin e të gjitha rrethanave që lidhen me rastin.
“ Njëkohësisht, apelojmë te të gjitha institucionet dhe punonjësit shëndetësorë të përfshirë që të sigurojnë respektimin e dinjitetit, të drejtave dhe sigurisë së pacientes gjatë gjithë procesit”, thonë nga Platforma për barazi gjinore.
Ata theksojnë se është veçanërisht e rëndësishme që nëna e re të mos i nënshtrohet asnjë lloj presioni, frikësimi apo ndikimi gjatë dhënies së deklaratave dhe ndarjes së përvojave të saj.
“Është e domosdoshme që deklaratat e saj të jepen lirshëm, në mënyrë të pavarur dhe pa presione, ndërsa gjendja e saj shëndetësore dhe interesi më i mirë i saj të jenë në fokus të të gjitha procedurave”, thanë nga atje.
Inspektorët po kontrollojnë dokumentacionin mjekësor dhe trajtimin e pacientes në Spitalin e Përgjithshëm të Strumicës, Spitalin Klinik të Shtipit dhe Klinikën Universitare të Neurologjisë në Shkup. Ministria e Shëndetësisë njoftoi se pas përfundimit të inspektimit do të vijojë edhe mbikëqyrja profesionale, pas së cilës do të shqyrtohen masat eventuale të mëtejshme.
Ndryshe, 19 vjeçarja Stanka Mihajllova nga rrethi i Strumicës, pas lindjes me prerje cezariane në Spitalin e Shtipit po përballet me pasoja shëndetësore dhe aktualisht është në karrocë invalidësh pasi nuk mund të ecë.
Portalb.mk













