Numri i lypësve në qendër të Strugës është rritur dukshëm gjatë ditëve të fundit. Sipas qytetarëve, një pjesë e madhe e tyre vijnë nga qytete të tjera të Maqedonisë së Veriut duke qenë të pranishëm pothuajse gjatë gjithë ditës në shesh dhe në zonat më të frekuentuara, shkruan Struga Ekspres.
Përveç se bezdisin qytetarët strugan, mërgimtarët dhe turistët duke u kërkuar vazhdimisht lëmoshë, banorët pretendojnë se në disa raste ata kanë gërvishtur edhe automjetet e parkuara në sheshin e Strugës, duke shkaktuar dëme materiale dhe pakënaqësi te pronarët e mjeteve.
Qytetarët thonë se ky fenomen po bëhet gjithnjë e më shqetësues, sidomos gjatë sezonit veror kur Struga vizitohet nga turistë. Ata kërkojnë nga institucionet kompetente dhe policia të shtojnë kontrollet në zonat më të frekuentuara, të ndërmarrin masa konkrete dhe të gjejnë një zgjidhje për këtë problem, me qëllim ruajtjen e rendit publik, sigurisë dhe imazhit të qytetit.
(Struga Ekspres)













