Veterinerët e Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari (AUV), në pikën kufitare “Qafë Thanë”, kanë ndaluar importin e 27 tonëve mish viçi të grirë me origjinë nga Paraguai, shkruan Struga Ekspres.
Vendimi për ndalimin e hyrjes së mishit në vendin tonë është marrë pas kontrollit të kryer në sistemin informativ të AUV-së dhe në dokumentacionin e importit, sipas të cilit sasitë që duhej të importoheshin dhe të përfundonin në tregun maqedonas vinin nga një objekt që nuk është i miratuar nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari. Kështu, nuk janë përmbushur standardet bazë të sigurisë për import, përkatësisht ekzistojnë dyshime për sigurinë shëndetësore të mishit, gjë që paraqet rrezik për konsumatorët, shkruan Struga Ekspres
Inspektorët e ushqimit javën e kaluar ndaluan edhe importin e një dërgese prej 22 tonësh arra me origjinë nga Kazakistani, për shkak të etiketimit të papërshtatshëm dhe devijimeve nga kriteret e përcaktuara për cilësinë dhe sigurinë ushqimore. Për këtë arsye, e gjithë sasia prej 22 tonësh është kthyer në vendin e origjinës, pra është ndaluar vendosja e saj në tregun maqedonas.
Kontrollet e importit të ushqimit nga veterinerët zyrtarë dhe inspektorët e ushqimit do të vazhdojnë me intensitet të shtuar, me qëllim parandalimin e futjes së produkteve të pasigurta. AUV apelon ndaj importuesve që të respektojnë rreptësisht rregulloret ligjore dhe standardet, pasi shëndeti i qytetarëve mbetet prioriteti kryesor i institucionit.
(Struga Ekspres)













