Saturday, March 7, 2026
Nabizi Gega KFC
789184-C9-03-B5-41-CF-9-D59-B2523658-B380
1ab55e5d-f5c3-470d-bec1-df1777c5234e
HomeOpinionKOLEGË, URIME 7 MARSI – DITA E MËSUESIT

KOLEGË, URIME 7 MARSI – DITA E MËSUESIT

KOLEGË, URIME 7 MARSI – DITA E MËSUESIT

Sa herë që e festojmë 7 Marsin, Ditën e Mësuesit, ne kemi rastin dhe momentin unik të ndërgjegjësohemi mbi rëndësinë e arsimit.

7 Marsi shënon një nga datat më domethënëse për shoqërinë shqiptare, Ditën e Mësuesit.

Kjo ditë nuk është vetëm një moment simbolik për të shprehur mirënjohjen formale ndaj mësuesve, arsimtarëve dhe profesorëve, por edhe një moment për të reflektuar më thellë, në vete dhe në shoqëri, mbi rolin jetik që ka arsimi në zhvillimin e individit dhe të shoqërisë në tërësi.

Në një kohë kur e gjithë bota po përballet me sfida të shumta – nga tensionet politike e konfliktet rajonale, deri te zhvillimi i shpejtë teknologjik dhe përhapja e informacionit të pakontrolluar – ARSIMI mbetet një nga shtyllat dhe levat më të forta për ndërtimin e një shoqërie të qëndrueshme dhe të ndërgjegjshme.

Mësuesit janë ata që formësojnë mendjen e brezave të rinj, duke i pajisur jo vetëm me dije, por edhe me aftësi kritike, me ndjenjën e përgjegjësisë qytetare, me vetëdije personale dhe me vlera humane.

Historia e arsimit shqiptar është e lidhur ngushtë me sakrificën kombëtare dhe përkushtimin shekullor. Nga hapja e shkollave të para shqipe e deri te sfidat e sotme të sistemit arsimor, mësuesit kanë qenë gjithmonë bartës të dritës së dijes dhe të identitetit kulturor. Sot, në një realitet global ku informacioni është i bollshëm, por jo gjithmonë i saktë, roli i mësuesit bëhet edhe më i rëndësishëm: ai, pra mësuesi, është udhërrëfyesi që ndihmon nxënësit të dallojnë të drejtën dhe të vërtetën nga manipulimi, si dhe dijen nga thjesht informacioni.

Në këtë kontekst të ndërlikuar, investimi në arsim nuk duhet parë vetëm si një detyrë institucionale, por si një prioritet shoqëror. Një shoqëri që respekton dhe mbështet mësuesin, në të vërtetë investon në të ardhmen e vet. Arsimi cilësor është themeli mbi të cilin ndërtohet zhvillimi ekonomik, stabiliteti social dhe kultura demokratike. Pra, me ARSIMIN nuk bëhet as pazar, as biznes, as improvizime politike të momentit.

Prandaj, 7 Marsi duhet të jetë më shumë se një festë ceremoniale, selfie, postime apo urime formale. 7 Marsi duhet të na shërbejë si një moment ndërgjegjësimi kolektiv për rëndësinë e arsimit dhe për përgjegjësinë që secili prej nesh duhet të japë në mbështetjen e tij.

Në këtë ditë të veçantë, le të kujtojmë edhe një herë se çdo shoqëri që synon përparimin dhe zhvillimin e saj, e fillon procesin nga ARSIMI dhe nga respekti për ata që e mbajnë gjallë dritën e dijes – MËSUESIT.

Lulzim Nasufi.

AS-Event
REKLAMONI KETU! REKLAMONI KETU!
AS-Event
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments

error: Content is protected !!