Deputetja nga Struga, Jovanar Mojsoska, njëherazi ish-kandidate për kryetare të Komunës së Strugës, ka reaguar ashpër lidhur me mungesën e ujit të pijshëm në qytet, duke theksuar se rreth 50.000 banorë tashmë për tri javë janë pa furnizim me ujë, shkruan Struga Ekspres.
Mojsoska njoftoi se ka dorëzuar iniciativa zyrtare në Ministrinë e Energjetikës dhe në Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, duke kërkuar mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektuese ndaj të gjitha subjekteve që posedojnë leje për shfrytëzim në territorin e Strugës, si dhe ndaj atyre që, sipas saj, veprojnë në mënyrë të paligjshme pa kontrata dhe koncesione të vlefshme.
Ajo theksoi se “çrregullimi, pasiviteti institucional dhe korrupsioni në çdo pore të shoqërisë” kanë sjellë situatën që qyteti i njohur si qyteti i dy liqeneve të mbetet pa ujë në shekullin XXI.
Deputetja u bëri thirrje edhe Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Prokurorisë Themelore Publike Strugë që, sipas saj, të mos presin “një ekocid tjetër” për të identifikuar dhe ndjekur penalisht subjektet që operojnë në mënyrë të paligjshme, duke realizuar përfitime milionëshe në kurriz të qytetarëve.
Në reagimin e saj publik, Mojsoska shtoi edhe një mesazh politik, duke theksuar se “çdo votë e blerë kushton shtrenjtë”, duke aluduar në përgjegjësinë politike për gjendjen aktuale në Strugë.
(Struga Ekspres)













