Lindim Etemi-Struga Ekspres
Kërkesa e qytetarëve për vendosjen e sistemit ONE STOP në pikën kufitare të Qafë Thanës mes Maqedonia e Veriut dhe Shqipërisë është një domosdoshmëri urgjente,raporton Struga Ekspres.
Ndërkohë që në kufirin mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, sistemi ONE STOP funksionon prej kohësh duke reduktuar ndjeshëm pritjet, në Qafë Thanë qytetarët vazhdojnë të përballen me kolona kilometrike dhe orë të tëra pritjeje,në sidomos gjatë sezonit veror dhe fundvitit të ftohtë, fundjavave dhe festave.
Është paradoksale që dy vende që flasin për integrim rajonal, për lëvizje të lirë dhe për standarde evropiane, të mos jenë në gjendje të zbatojnë një model që tashmë e kanë si shembull funksional në një tjetër kufi.
Nëse ONE STOP funksionon me Kosovën, pse jo me Shqipërinë? A ka mungesë vullneti? Koordinimi? Apo thjesht mungesë prioriteti?
Qafë Thanë nuk është një pikë e zakonshme. Është arterie jetike ekonomike dhe turistike. Çdo verë mijëra qytetarë, emigrantë dhe turistë kalojnë nëpër këtë pikë. Çdo orë pritjeje është kosto ekonomike, stres, ndotje dhe imazh i keq për të dy shtetet.
Të dyja palët kanë paralajmëruar zgjidhje. Kanë folur për lehtësime, për investime, për koordinim. Por qytetarët nuk ushqehen me deklarata. Ata përballen me vapën, me fëmijë në makina, me të moshuar që presin me orë të tëra. Në vitin 2026, pritje prej disa orësh në një kufi mes dy vendeve që synojnë integrimin evropian është dështim institucional.
Modeli ONE STOP nuk kërkon shpikje. Kërkon vendim politik dhe koordinim teknik. Një kontroll i përbashkët, një ndalesë, një procedurë. Më pak burokraci, më shumë efikasitet.
Nëse rajoni synon të flasë seriozisht për treg të përbashkët, për lëvizje të lirë dhe për afrimitet mes qytetarëve, atëherë fillimi bëhet te kufiri.
Qytetarët nuk kërkojnë privilegj. Kërkojnë normalitet. Kërkojnë të mos humbin orë të jetës së tyre në kufi. Kërkojnë trajtim dinjitoz
.
Nëse institucionet e Maqedonia e Veriut dhe Shqipërisë arrijnë të bashkëpunojnë për projekte të mëdha infrastrukturore e politike, atëherë mungesa e ONE STOP në Qafë Thanë është thjesht mungesë prioriteti dhe kjo është ajo që e bën situatën më të rëndë, jo pamundësia, por mungesa e vullnetit.
Në Qafë Thanë nuk ka nevojë për një tjetër premtim. Ka nevojë për një vendim. Tani.
Lindim Etemi-Struga Ekspres













