Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka dalë me një reagim të fortë në mbrojtje të lirisë së shprehjes, duke komentuar zhvillimet e fundit që lidhen me ndjekjen penale të gazetares Liridona Vejseli.
Përmes një deklarate që thekson përkushtimin ndaj transparencës, Gashi u shpreh se raportimi mbi çështjet me interes publik duhet të jetë i paprekshëm nga tentativat për frikësim.
”Qëndroj në mbrojtje të fjalës së lirë dhe inkurajoj krijimin e kushteve të sigurta për punën e gazetarëve. Raportimi mbi çështjet me interes publik duhet të mbrohet dhe të mos shndërrohet në një mjet për ndëshkime apo frikësime ndaj medias,” deklaroi Gashi.
Ky reagim vjen pasi Gjykata e Gostivarit dënoi gazetaren Vejseli me një gjobë prej 700 eurove nën akuzën e “keqpërdorimit të të dhënave personale”, pasi ajo kritikoi publikisht punën e një gjyqtari të Tetovës. Gazetarja dhe mbrojtja e saj argumentojnë se ky vendim bie ndesh me Nenin 78 të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, i cili lejon përpunimin e informacioneve për qëllime gazetareske.













