Iseni: Rasti i Liridonës do të shkojë deri në fund
Rasti i Liridona Vejselit dhe dëshmia e saj publike në një emision, janë dëshmi e qartë se policia i ka qëndruar pranë për ta mbrojtur dhe për të garantuar sigurinë e saj, në një moment kur presioni mbi fjalën e lirë nga i dyshuari ishte i lartë.
Ky është reagimi i zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Astrit Isemi i cili përmes një qëndrimi të tij në Fejsbuk ka dalë në mbrojtje të gazetares së Pa Censurë, Liridona Vejseli.
Sipas tij, MPB-ja ka vepruar me profesionalizëm, ka mbledhur faktet, ka siguruar dëshmitë dhe ka kryer punën e saj deri në momentin kur çështja i kalon gjyqësorit.
”Megjithatë, sot po shohim paradoksin më të madh: i njëjti gjyqësor që për vite u politizua, u kap dhe u shkatërrua, sot paraqitet si objekt vajtimi nga ata që vetë e ndërtuan atë sistem të kalbur. Besueshmëria e drejtësisë ra në minimum historik, rreth 3%, jo rastësisht, por si pasojë direkte e instalimeve politike dhe ndërhyrjeve të vazhdueshme. Sot shtiren si mbrojtës të gazetarëve dhe të lirisë së medias. Dje ishin ata që heshtën, frikësuan dhe shantazhuan zërat kritikë”, thekson Iseni.
Sipas tij, rasti i Liridonës do të shkojë deri në fund, nëse sot një i akuzuar lirohet nga po ai gjyqësor i kapur, kjo nuk e zbeh as faktin, as profesionalizmin e punës së MPB-së, e cila ka vepruar dhe do të veprojë pa kompromis.
“Ne do të jemi gjithmonë në krah të gazetarisë së mirëfilltë, të gazetarëve denoncues dhe investigues, sepse ata janë korrigjuesi real i sistemit. Ata na bëjnë më profesionistë dhe e detyrojnë çdo institucion të japë llogari. Prandaj meriton përkrahje çdo gazetar/e që guxon të flasë hapur dhe të denoncojë bashkëpunimin e prokurorëve dhe gjykatësve kundër kujtdo që ngre zërin ndaj punës së tyre joprofesionale”, shkruan zëvendësministri Iseni.













