Para fillimit të sezonit veror, ashtu siç e kemi implementuar sistemin One Stop me Kosovën dhe Serbinë, mund ta implementojmë atë edhe me Shqipërinë dhe t’i mbyllim pikat kufitare me shtetet që nuk janë pjesë e BE-së përmes një transferi më të shpejtë të qytetarëve, gjë që do të ulë pritjet në kufijtë tanë, deklaroi ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski pas takimit të djeshëm me ministren e Punëve të Brendshme të Republikës së Shqipërisë, Albana Koçiu, përcjell Struga Ekspres.
Gjithashtu shqyrtuam mundësinë që pika kufitare Xhepishte–Trebishte në të ardhmen, nga regjimi aktual i funksionimit – që është gjatë periudhës verore deri në orën 08:00 dhe gjatë periudhës dimërore deri në orën 18:00 – të zgjatet, në përputhje me mundësitë dhe kapacitetet e të dy ministrive, për të funksionuar 24/7 gjatë gjithë vitit.
Kjo do t’u mundësojë qytetarëve nga të dyja anët komunikim më të mirë, realizimin e një numri më të madh shërbimesh dhe, realisht, do ta ngrejë bashkëpunimin tonë të shkëlqyer në një nivel edhe më të lartë dhe më cilësor, theksoi ministri Toshkovski.
Në kuadër të vizitës u mbajt edhe një takim i nivelit të lartë ndërmjet ministrave të Punëve të Brendshme dhe drejtorëve të shërbimeve doganore të të dy vendeve, i kushtuar krijimit të një Qendre të Përbashkët Kontakti për bashkëpunim policor dhe doganor.
Kjo qendër do të përfaqësojë një mekanizëm shtesë për shkëmbim më të shpejtë dhe më efikas të informacionit, koordinim dhe veprim të përbashkët në përballjen me krimin ndërkufitar, migracionin ilegal, trafikimin e drogës dhe sfidat e tjera të sigurisë.
Nënshkrimi i Marrëveshjes për themelimin dhe funksionimin e Qendrës për bashkëpunim policor dhe doganor do të kontribuojë në forcimin e bashkëpunimit ndërkufitar dhe kontrollit kufitar, si dhe në një luftë më efikase kundër migracionit ilegal, krimit të organizuar dhe kërcënimeve të tjera të sigurisë.
Maqedonia ka të themeluara katër qendra të përbashkëta kontakti: në Deve Bair me Republikën e Bullgarisë, Qafë Thanë me Republikën e Shqipërisë, Bllacë me Republikën e Kosovës dhe Tabanoc me Republikën e Serbisë.
Këto qendra çdo ditë realizojnë funksionin e tyre bazë për shkëmbimin e informacionit, dërgimin e mesazheve për paralajmërim të hershëm dhe koordinim në luftën kundër krimit ndërkufitar. Qendra e re për bashkëpunim policor dhe doganor do të jetë edhe një mekanizëm i fuqishëm në këtë rrjet, theksoi ministri Toshkovski.
(Struga Ekspres)













