Fetai: Ata që liruan Mijallkovin sot kapen me para korrupsioni
Zëvendëskryeministri Arben Fetai ka reaguar ashpër pas lajmit se gjyqtarit Gjoko Ristov i janë gjetur 350 mijë euro, për të cilat dyshohet se janë të ndërlidhura me korrupsion, duke vlerësuar se ky zhvillim e rrënon edhe atë grimcë të fundit besimi që qytetarët kanë pasur në sistemin e drejtësisë.
Në një postim në Facebook, Fetai ka theksuar se ky nuk duhet parë si një rast i izoluar, por si “maja e ajsbergut e një sistemi që për vite me radhë ka mbrojtur të fortët dhe ka shtypur qytetarët e zakonshëm”.
Sipas tij, situata bëhet edhe më alarmante për shkak se emri i Gjoko Ristovit nuk është i panjohur për opinionin dhe institucionet e drejtësisë. Fetai rikujton se Ristov, së bashku me gjyqtarin non grata Enver Bexheti, kanë qenë pjesë e vendimeve që i hapën rrugën e lirisë ish-drejtorit të policisë sekrete, Sasho Mijallkov, i cili sot lëviz i lirë jashtë vendit.
“Edhe këto vendime duhet të hetohen deri në fund, për të sqaruar se çfarë ka ndodhur dhe kush ka qenë i përfshirë”, ka shkruar Fetai.
Ai ngriti gjithashtu shqetësimin se rasti Ristov mund të jetë vetëm një prej shumë rasteve të fshehura, duke pyetur se sa gjyqtarë dhe prokurorë të tjerë mund të fshihen pas togës së drejtësisë, duke e përdorur ligjin si mbulesë për korrupsion.
Në fund, zëvendëskryeministri Fetai ka kërkuar veprim të menjëhershëm institucional, hetime të plota dhe përgjegjësi konkrete, duke theksuar se pastrimi i sistemit të drejtësisë është i panegociueshëm dhe i domosdoshëm për rikthimin e besimit të qytetarëve.













