Vevçani ka gabuar rëndë. Ajo që duhej të ishte festë, kulturë dhe satirë, u shndërrua në një akt fyes dhe provokues që cenon dinjitetin e Veleshtës dhe rrezikon seriozisht marrëdhëniet ndëretnike në rajonin e Strugës.
Organizatorët e karnavaleve mbajnë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për përmbajtjet ofenduese që u shfaqën publikisht. Nën petkun e “humorit” dhe “traditës”, u lejua tallja dhe denigrimi i një komuniteti të tërë, një veprim i papranueshëm që nuk i shërben as kulturës, as festës, e aq më pak bashkëjetesës.
Këto veprime nuk sjellin asnjë të mirë për etnitë në Strugë. Përkundrazi, ato thellojnë ndarjet, nxisin tensione dhe hapin plagë që me shumë mund janë mbyllur ndër vite. Rajoni i Strugës ka qenë shembull i bashkëjetesës dhe respektit ndërmjet komuniteteve, por incidente të tilla e dëmtojnë rëndë këtë frymë.
Heshtja e institucioneve dhe mungesa e reagimit zyrtar vetëm sa e përkeqëson situatën. Kërkohet llogaridhënie, reflektim dhe kërkim falje publike. Liria e shprehjes nuk është licencë për fyerje, e as tradita nuk mund të përdoret si justifikim për urrejtje.
Mesazhi është i qartë se provokimet nuk ndërtojnë të ardhmen. Respekti po!
Nëse duam paqe, stabilitet dhe bashkëjetesë reale në Strugë dhe rrethinë, akte të tilla duhet të dënohen pa ekuivok dhe të mos përsëriten më.
Lindim Etemi (Struga Ekspres)













