Reagon UNT: Projekti për Kampusin universitar nuk është anuluar, fondet do të alokohen në disa faza
Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup ka reaguar ndaj lajmeve të pavërteta që po qarkullojnë në opinion lidhur me “zhdukjen” e projektit të Kampusit universitar të këtij institucioni.
Prej atje, sqarojnë se projekti nuk është anuluar dhe nuk është ndërprerë dhe siç thonë, “fondet do të alokohen në disa faza në përputhje me dinamikën e realizimit dhe me ndarjet buxhetore vjetore”.
“Kampusi është një projekt shumë me rëndësi për UNT, madhor dhe shumëvjeçar për Universitetin ‘Nënë Tereza’ në Shkup i cili si çdo investim kapital i rëndësishëm, realizohet me faza të mirëstrukturuara. Buxheti vjetor mbulon vetëm fazën e punimeve që zhvillohet gjatë atij viti dhe jo shumën e përgjithshme të parashikuar deri në përfundimin e projektit”, thuhet në sqarimin e UNT-së.
Në përfundim të reagimit ata lusin opinionin publik dhe të gjithë arsimdashësit që të mos bien pre e keqinformimit dhe të mos dëmtojnë reputacionin e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, por siç theksojnë, “ta mbështesin dhe ta mbrojnë institucionin tonë sipas mundësive të tyre”.













