Kaltrina Zekolli Shaqiri: Nuk kërkoj hakmarrje, kërkoj drejtësi për Arbërin!
Më 17 nëntor u bënë tre vite nga aksidenti tragjik në të cilin humbi jetën Arbër Shaqiri. Ndërsa familja e tij ka jetuar mes dhimbjes, traumës dhe mungesës së drejtësisë, personi që shkaktoi aksidentin ka qenë i lirë për këto tre vite.
Vendimi i fundit i Gjykatës së Shkallës së Parë, vetëm 7 muaj burgim, ka shkaktuar indinjatë të thellë. Vepra penale për të cilën akuzohet i dyshuari, sipas nenit 300 paragrafi 4 të Kodit Penal, parasheh dënim nga 1 deri në 5 vjet burg.
Sipas Kaltrina Zekolli Shaqirit, ky vendim nuk reflekton peshën e jetës së humbur dhe pasojat tragjike për familjen.
“Ai vendim nuk është dënim, është një padrejtësi e dytë,” ka deklaruar Zekolli-Shaqiri, duke theksuar se si rrjedhojë e aksidentit një person humbi jetën dhe një tjetër u lëndua, ndërsa dënimi i shqiptuar është minimal.
Ajo tha se gjatë procesit gjyqësor nuk është ndjerë e mbrojtur apo e dëgjuar, ndërsa thekson se gjykatësja Dragana Isakovska i ka ngritur zërin pikërisht në momentin kur reagoi emocionalisht pas shpalljes së vendimit.
Meqë ligji nuk i jep të drejtë ankese, Kaltrina i është drejtuar publikisht Prokurorisë për të kërkuar rishikim të vendimit dhe apelim të tij.
“Nuk kërkoj hakmarrje, kërkoj drejtësi për Arbërin. Kërkoj që jeta e një njeriu të mos vlejë vetëm 7 muaj burg. Sot jam unë, nesër mund të jetë dikush tjetër,” është mesazhi i saj i fortë.
Ajo theksoi se kërkon drejtësi në emër të Arbërit, në emër të fëmijëve të tij dhe të prindërve që çdo ditë përballen me dhimbjen e humbjes.
“Jam këtu për të kërkuar drejtësi, për të kërkuar përgjegjësi dhe për të kërkuar një vendim që i jep vlerë jetës së njeriut që u mor padrejtësisht,” përfundon reagimi i saj publik.











