Mendi Qyra: Fond komunal dhe mbeshtetje aktive per grate me kancer ne gji

Në kuadër të muajit tetor, i njohur globalisht si muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, kandidati i pavarur për Komunën e Strugës, Mendi Qyra, organizoi aktivitetin simbolik “Struga Rozë”. Aktiviteti përcolli një mesazh solidariteti, force dhe shprese për të gjitha gratë që përballen me këtë sëmundje.
Në fjalën e mbajtur gjatë ngjarjes, Qyra u zotua për ndërmarrjen e tri masave konkrete, nëse fiton drejtimin e Komunës:
Krijimi i Fondit Komunal për gratë me kancer të gjirit, me qëllim mbështetjen financiare për trajtim dhe rehabilitim;
Organizimi i përvitshëm i fushatës “Struga Rozë”, si formë ndërgjegjësimi dhe edukimi për parandalimin e hershëm të kancerit të gjirit;
Përkrahje për përfshirjen aktive të grave që e kanë fituar betejën kundër kësaj sëmundjeje në jetën profesionale dhe publike.
“Ky është një angazhim personal dhe njerëzor. Gratë e Strugës meritojnë kujdes, mbështetje dhe dinjitet në çdo hap të jetës,” u shpreh Qyra, duke theksuar rëndësinë e solidaritetit komunitar.
Aktiviteti u mirëprit nga qytetarë të shumtë, organizata lokale dhe aktivistë të shoqërisë civile, duke e kthyer “Strugën Rozë” në një simbol të fuqisë dhe bashkimit në përballjen me këtë sfidë shëndetësore.
