Policia e Kosovës njofton se mbrëmjen e së hënës ka arrestuar një person në fshatin Debëlldeh të Vitisë, pasi i njëjti dyshohet për kontrabandim të barnave.
Sipas njoftimit, rreth orës 19:40 është pranuar informacion se në këtë fshat janë duke lëvizur disa automjete të dyshuara, në mesin e tyre njëra dyshohej se kishte të ngarkuar mallra të kontrabanduara të sjella nga Maqedonia Veriore përmes rrugëve ilegale, në ndërkohë që dy automjete të tjera kanë bërë përcjelljen e saj.
“Pas pranimit të kësaj informate njësitë operative nga Drejtoria Rajonale e Policisë Kufitare- Lindje, kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme operativo-taktike me ç’rast janë realizuar prita dhe kontrolle në rrugët e brezit kufitar dhe në rrugët dytësore të fshatrave të Vitisë”, thuhet në komunikatën për media.
Si rezultat i veprimeve të marra, bëhet e ditur se njësitë policore kanë arritur që ta ndalojnë automjetin e dyshuar me targa vendore, me ç’rast gjatë kontrollimit janë gjetur një sasi e konsiderueshme e barnave të llojeve të ndryshme (24 lloje të barërave si: Daleron, Xanax, Sintrom 4, Kalcium Karbonat, Dilakor 0.25mg, Andoll 100 mg, Promolut Nor 5mg, Helex 0.25 mg etj.) të cilat janë sjellë në mënyrë ilegale nga Republika e Maqedonisë së Veriut në Republikën e Kosovës.
“Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori kompetent i cili ka urdhëruar që personi i dyshuar (drejtuesi i automjetit) të ndalohet për 48 orë, ndërsa malli i kontrabanduar të dërgohet në terminalin doganor”, thuhet tutje në njoftim.
Rasti i kompletuar i dërgohet njësive kompetente për trajtim të mëtutjeshëm. /Telegrafi/