Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski sot përmes një shkrimi në Facebook njoftoi se brenda 3 muajve janë kapur substanca narkotike në vlerë të 5,5 milionë eurove. Spasovski tha se gjatë vitit 2021 janë ndërprerë 20 kanale për shpërndarje të drogës.
“Për vetëm tre muaj janë sekuestruar mbi 2,2 tonë marihuanë me vlerë prej mbi 5 milionë euro, rreth 1,2 tonë substanca psikotrope për prodhimin e amfetaminës me vlerë prej rreth 200 mijë eurove, 7 kilogramë heroinë me vlerë prej pothuajse 300.000 euro”, shkroi Spasovski.
Spasovski theksoi se gjatë vitit 2021 janë kapur substanca narkotike në vlerë të 15 milionë eurove.
“Në fakt, edhe vitin 2021 e kemi përmbyllur me rezultate të mira në kontekst të prioritetit të lartë të kësaj udhëheqësie të MPB-së – shkatërrim të tregtisë së palejuar me drogë. Në këtë rast, vetëm në këtë segment janë parandaluar 20 kanale për transport ndërkombëtar, është sekuestruar drogë narkotike në vlerë të përgjithshme prej 15 milionë euro, janë shkatërruar dhjetë grupe të organizuara kriminale, të përbëra nga 60 anëtarë, prej të cilëve tre janë polikriminale, gjegjësisht përveç kontrabandës me drogë, janë përfshirë edhe në tregti të palejuar me armë dhe në trafikim me emigrantë. Ose, janë zbuluar 702 vepra penale, ndërsa janë ndërmarrë masa të ndjekjes penale kundër 833 kryerësve”, thekson Spasovski.