Pronari i kompanisë “Floil”, Berat Mustafa tha se kapacitete e vajit janë të mjaftueshme për ta mbuluar tregun e Kosovës.
Musftafa gjatë vizitës së kryeministrit Albin Kurti në këtë fabrikë, ka shtuar se kapacitetet e prodhimit janë 100 mijë litra vaj brenda 24-orëve.
“Kemi kapacitet të prodhimit prej 100 mijë litra në orë. Prodhimi është duke shkuar në suaza normale. Ambalazhimin e kemi 6 mijë litra në orë. Kapacitete janë të mjaftueshme, jo për ta mbuluar vetëm tregun tonë, por edhe për rajonin për eksport. Po shikojmë të gjitha mundësitë që konsumatorët të mos mbesin pa prodhim”, tha Mustafa.
Duke iu përgjigjur interesimit të kryeministrit Kurti, pronari i kompanisë ka thënë se si pasojë e luftës në Ukrainë, po ndodh ngritja e çmimit të vajit.
“Tash po na njoftojnë se edhe Bullgaria e ka ndalë eksportin e vajit për shkak të mungesës në treg. Se Rusia është shteti i dytë i prodhimit të vajit të lule diellit, këto dy shtete [Rusia-Ukraina] janë në luftë, nuk ka vaj të mjaftueshëm dhe ka rritje të çmimit”, ka theksuar ai.
Ndryshe, çmimi i vajit javëve të fundit ka qenë rreth 1.60 euro, por se tashmë një litër vaj po tregtohet deri në 4 euro.