Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri sqaroi për Alsat se Propozim Ligji për mësimdhënësit dhe bashkëpunëtorët profesional mund të pësoj ndryshime nëse nis debati parlamentar, Shaqiri tha se propozimet përveç që sjellin mundësi të avancimit në karierë të mësimdhënësve sjellin edhe vlerësime për punën shtesë të mësimdhënësve.
“Edhe pse si Propozim Ligj vjen nga ana e ministres paraprake, jam i hapur, ka hapsirë për ndonjë ndryshim i cili duhet të jetë i pranueshëm në debatin i cili do të krijohet por e shoh të arsyeshme motivimin sepse, çdo herë për një punë për një kontribut të kemi nivelin e pagës fikse. Ka sisteme të ndryshme të cilat paga është element motivues për punën dhe zakonisht i cili jep më shumë kontribut për pagën kur do të vlerësohet në fund të muajit, do të jetë më i kënaqur me atë të cilën edhe e ka arritur nga kontributi po edhe nga niveli i pagës”, tha ministri Shaqiri.
Sindikata e Arsimit Shkencës dhe Kulturës zgjidhjen e problemit apo rritjen e pagave të mësimdhënësve e sheh në respektimin e Marrëveshjeve kolektive që sipas sindikatës garantojnë paga të dinjitetshme për punonjësit e arsimit.
Por, sipas ministrit Shaqiri, rritja e pagave të mësimdhënësve nuk mund të bëhet vetëm në bazë të Marrëveshjes kolektive siç kërkon SASHK-u. Ai shton se është i nevojshëm vlerësimi individual i punonjësve në arsim.
“Mund të rregullohet ashtu sikurse në disa sektorë tjerë por rregullimi sistemor është rregullim sistemor, rregullimi ligjor është rregullim ligjor. Marrëveshja kolektive është marrëveshje kolektive dhe e zbatueshme dhe shumë institucione e kanë rregullu dhe në këtë periudhë kohore shofim edhe mundësitë tjera. Por, çështja e metodologjisë dhe çështja e vlerësimit të barabartë për të gjithë, aty është çështje të cilën duhet parë, duhet diskutuar”, u shpreh ai.