Petrit Manaj, 56 vjeç, dyshohet se ka vrarë me thikë gruan e tij 50-vjeçare, Valdete Manaj.
Fillimisht autori i kësaj ngjarjeje të rëndë e pati raportuar rastin në polici si vetëvrasje për shkak të depresionit.
Por pasi policia shkoi në vendin e ngjarjes zbuloi se e vërteta ishte krejt ndryshe. 56-vjeçari, për motive të dobëta, ka goditur me thikë gruan e cila për pasojë ka gjetur vdekjen.
Kur është vënë para hetuesve të cilët i kanë renditur provat, Petrit Manaj është dorëzuar dhe ka pranuar krimin. Gazetarja Anila Sefa ka mësuar se autori ka inskenuar ngjarjen duke bërë të dukej sikur është njoftuar nga vëllai për gruan e pajetë në shtëpi.
Uniformat blu kanë sekuestruar thikën që dyshohet se ka përdorur autori për të kryer vrasjen. Atij më pas i janë vënë prangat dhe tashmë akuzohet për “vrasje në rrethana të tjera cilësuese”.
Petrit dhe Valdete Manaj ishin prindër të dy djemve.
Këto janë pamjet që gazetarja Anila Sefa ka siguruar nga vendi i ngjarjes mëngjesin e sotëm, kur ngjarja u raportua fillimisht si vetëvrasje. Aty ndodheshin efektivët e policisë dhe ekspertët që kanë mundur të zbulojnë se çfarë kishte ndodhur në të vërtetë, njoftojnë mediat shqiptare.
Njoftimi i policisë:
Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur mëngjesin e sotëm në lagjen “Sheq i Madh” Fier.
Pas një pune hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë Fier, Policia arreston shtetasin P. M., si autor i dyshuar i vrasjes së bashkëshortes së tij.
Pas njoftimit të marë në sallën operative se në lagjen “Sheq i Madh”, Fier, në banesën e saj një shtetase është vetëvrarë, menjëherë është ngritur grupi hetimor dhe në bashkëpunim me Prokurorinë Fier kanë vijuar punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Nga provat e grumbulluara, deklarimet e marra, këqyrjes së trupit të viktimës nga eksperti mjeko-ligjor dhe veprimet e mëtejshme hetimore të kryera nga grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorisë Fier, rezulton se shtetasi P. M., bashkëshorti i viktimës, për motive të dobëta ka goditur me thikë shtetasen V. M., e cila për pasojë ka gjetur vdekjen.
Në bazë të hetimeve të thelluara, i vendosur përballë provave të adminstruara, shtetasi P. M., ka pranuar autorësinë dhe motivin e ngjarjes.
Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier arrestuan në flagrancë për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, shtetasin P. M., 56 vjeç.
U sekuestrua në cilësinë e provës materiale mjeti prerës(thikë), me të cilën dyshohet se autori ka kryer vrasjen.
Materialet do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme procedurale.