Forcat e shtuara të Policisë së Kosovës zbarkuan mbrëmjen e djeshme në shtëpinë e kryeministrit Albin Kurti, pas kërcënimit ndaj tij.
Zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, tha se kryeministri Kurti është kërcënuar dhe për këtë arsye, “si masë e kujdesit të shtuar, është rritur edhe niveli i tij i sigurisë. Institucionet e hetuesisë dhe sigurisë tashmë janë duke bërë punën e tyre. Ato bëjnë vlerësimet e nevojshme dhe ndërmarrin masat përkatëse”, tha ai, por pa dhënë më shumë hollësi rreth kërcënimit.
Policia nuk komentoi ngjarjen, ndërsa mediat vendase thanë se kërcënimi është bërë në rrjetet sociale nga një llogari e paqartë në të cilën “është premtuar një shumë parash për vrasjen e kryeministrit Kurti”.
Sipas mediave kosovare personi që pretendohet se kërcënoi kryeministrin Kurti, është nga një profil me emrin “Marki Mario”. Ai ka thënë se dhuron shpërblim 35 mijë euro për personin që vret kryeministrin Kurti, duke e quajtur hajn, dhe kriminel.
Forca e Policisë qëndruan për rreth dy orë në shtëpinë e kryeministrit kosovar për të rritur nivelin e sigurisë dhe më pas u larguan.