Kandidati për kryetar të komunës së Strugës nga Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, Idri Istrefi, hyn në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale me plot besim për fitore dhe sfidim të oponentit të tij politik. Ai premton ndryshimin për Strugës pas 31 tetorit dhe për t’i dhënë fund siç shprehet, regjimit. Istrefi fajëson pushtetin lokal se asfaltoi rrugë, bëri punësime të kuadrove partiak në komunë e ndërmarje publike dhe pa tender e dokumente po punon në kundërshtim me ligjin, vetëm për të bërë për vete trupin votues. Istrefi thotë se edhe përkundër shantazheve, rezultati I rrethit të parë është premtues për të arritur fitore përfundimtare, andaj falendëroi qytetarët për besimin e dhënë më 17 tetor. Ndërkohë ftoi organet e rendit të parandalojnë keqpërdorimet e mundshme në raundin e dytë.
“Rezultati i raundit të parë ishte premtues edhe përkundër që regjimi aktual të këtij sistemi, nuk mund t’i thuhet ndryshe përveç se regjim, I përdori të gjitha shantazhet e mundshme, përdori blerjen e votave, përdori asfaltimin pa kriter dhe fatkeqësisht I përdori edhe organet e rendit. Mirpo ne gjatë këtij raundit të dytë nuk do të lejojmë këto keqpërdorime. Organeve të rendit u bëj apel të kryejnë detyrën e vet, e cila I’u takon me ligj, të ndjekin kriminelët, të ndjekin blerësit e votave dhe jo të bëhen palë me regjimin dhe I’u bëj apel qytetarëve që të denoncojnë çdo veprim të këtyre keqbërësve sepse ndryshimi siç e vëreni në nivel shtetëror do të vij.”, tha Idri Istrefi, kandidat për kryetar për komunën e Strugës, ASH – Alternativa.
Istrefi thotë se ka ide dhe strategji se si ta zhvillojë komunën. Drejtësi në investime, drejtësi për abuzuesit, është motoja e tij me menaxhimin me strugën. Ai premton ndershmëri, transparencë dhe denoncim të korrupsionit, për të kthyer shpresën tek struganët dhe pengimin e shpërnguljes së rinisë. Midis tjerash premton fusha sporti për të rinjtë, rregullimin e shtratit të lumit Drin, e të mos jetë cak i mbeturinave si dhe rregullimin njëherë e përgjithmonë çështjen e ujit të pijshëm në mbarë Strugën. Projektet do të realizohen proporcionalisht në mbarë Strugën, thotë ai, me para të buxhetit të komunës. Përderisa zgjat fushata do ti vizitojë gjitha fshatrat dhe vendbanimet në qytet, që deri tek qytetarët të sjellë, siç tha ofertën e tij të pastërt që ata në rrethin e dytë të marrin vendimin e duhur./RTM/