Monday, November 25, 2024
Nabizi KUPA REKLAMONI KETU
trim2 REKLAMO KETU!
trim2
Nati-Trans4
REKLAMONI KETU!
REKLAMONI KETU!
HomeOpinionJa pse gënjejnë politikanët

Ja pse gënjejnë politikanët

Prof. Fatos Tarifa

Pse gënjejnë politikanët? Përgjigjja e kësaj pyetjeje mund të ishte një fjali e vetme: Sepse është vështirë të jesh politikan dhe të mos gënjesh. Gënjeshtra duket se është pothuajse një kërkesë e domosdoshme, apo pjesë e asaj çka mund të quhej “job description” për një politikan që kërkon të zgjidhet në krye të një institucioni, ose në organe vendimmarrëse të shoqërisë. Pothuajse të gjithë politikanët, veçanërisht në kohë fushatash elektorale, kur kërkojnë të zgjidhen, gënjejnë. “Askush nuk mund të zgjidhet, nëse thua të vërtetën”, shkruante pak kohë më parë revista konservatore amerikane National Review. Natyrisht, disa politikanë gënjejnë më shumë se të tjerët, por pothuajse të gjithë gënjejnë. Pse?

 

Të gënjesh është njerëzore (To lie is human). Ky titull i një libri të njohur, që ka për autor psikologun amerikan Christopher Hyatt, shpreh një të vërtetë të përhershme. Vëzhgimet eksperimentale në psikologjinë kognitive dëshmojnë se fëmijët fillojnë të gënjejnë qysh në moshën 2 vjeç dhe prirja e tyre për të gënjyer, siç ka argumentuar kohë më parë Jean Piagget, zhvillohet dukshëm deri sa ata arrijnë moshën e adoleshencës. Në moshën 2 vjeç, 30 për qind e fëmijëve gënjejnë; në moshën 3 vjeç gënjejnë gjysma e fëmijëve; ndërsa në moshën 5 dhe 6 vjeç gënjejnë thuajse 90 për qind e fëmijëve (shih U.S. News and World Report, 18 prill 2016). Në vitin 1996, psikologia amerikane Bella DePaulo, duke regjistruar bisedat e studentëve përgjatë një jave, erdhi në përfundimin se ata gënjenin, mesatarisht, në çdo tre biseda që zgjasnin për 10 minuta ose më shumë. DePaulo vërejti, gjithashtu, se të rriturit gënjejnë një herë në çdo pesë biseda që bëjnë.

Natyrisht, jo të gjithë njerëzit gënjejnë në të njëjtën masë dhe për të njëjtat motive. Ka njerëz, një pakicë, që gënjejnë tërë ditën dhe për çdo gjë; gënjeshtra mund të konsiderohet pjesë e natyrës së tyre. Shumica e njerëzve, sidoqoftë, gënjejnë më rrallë dhe më pak. Këtu vihet re një tendencë e ngjashme me atë të sjelljeve devijante e kriminale në shoqëri: një përqindje e vogël e popullsisë mashtron, vjedh, ose vret, pra kryen krime, nga të cilat viktimizohet e tërë shoqëria. Ky fakt, sidoqoftë, nuk e ndryshon të vërtetën se të gjitha qëniet njerëzore gënjejnë. Kujtoni Diogjenin, filozofin e lashtë grek të shkollës së cinikëve, i cili, edhe pse tërë jetën e tij e kaloi duke kërkuar një njeri të ndershëm, i cili të mos gënjente, vdiq pa gjetur një të tillë.

Politikanët nuk janë një përjashtim nga rregulli; ata gënjejnë si të gjithë ne, njerëzit që nuk merremi me politikë. Por ka një dallim të madh mes gënjeshtrave të politikanëve dhe gënjeshtrave të njerëzve të zakonshëm. Unë, ose kushdo nga ju, lexues të nderuar, mund të themi një gënjeshtër, dhe me këtë nuk dëmtojmë askënd. Fjala vjen, unë mund të refuzoj një ftesë që më bëhet për të ngrënë darkë me dikë, duke u justifikuar se nuk ndihem mirë kur, në fakt, arsyeja mund të jetë diçka tjetër. Ose, një student mund t’u thotë prindërve se po shkon në bibliotekë kur, në fakt, ai do të dalë me të dashurën e tij. Në raste të tilla, ne gënjejmë sepse mendojmë se kështu duhet vepruar dhe, duke vepruar në këtë mënyrë, nuk i shkaktojmë dëm askujt. Gënjeshtra të kësaj natyre janë një zgjedhje praktike e jona dhe jo domosdoshmërisht një karakteristikë personale, ose një tipar i sjelljes sonë. Kanti, sigurisht, nuk do të pajtohej me këtë gjykim. Sipas tij, çdo gënjeshtër është moralisht e gabuar, pasi duke gënjyer dikë, ne i heqim atij lirinë – pra edhe mundësinë – që ai të bëjë zgjedhje racionale dhe të marrë vendimet e duhura.

Sidoqoftë, përtej këtij imperativi kategorik kantian, sërish mund të themi se gënjeshtrat që thuhen për “arsye praktike” nga individë të veçantë dhe që nuk i sjellin dëm askujt, nuk janë e njëjta gjë me gënjeshtrat e politikanëve; këto të fundit janë moralisht shumë më të rënda e më të dënueshme. Pyesni veten, për një çast, se sa shpesh i keni shkaktuar dëm dikujt, gjatë vitit të fundit, duke e gënjyer atë? Unë besoj se mund të kenë qenë raste shumë të rralla, nëse vërtet ka ndodhur kështu. Por, pa mendoni se ç’dëm të madh kanë sjellë e sjellin gënjeshtrat e politikanëve tanë, të cilët i kemi zgjedhur që të drejtojnë punët e shtetit dhe, për këtë shkak, ata kanë në dorë fatet e vendit dhe fatet tona si individë! Prej gënjeshtrave të tyre dëmtohet e tërë shoqëria dhe çdonjëri nga ne.

 

Politikanët gjithnjë kanë gënjyer (Politicians have always lied). Këto nuk janë fjalë të miat; ato janë huazuar nga një editorial i revistës The Economist (10 shtator 2016) dhe përdoren këtu për të ilustruar idenë se gënjeshtra në politikë është e vjetër sa edhe vetë historia e shtetit dhe e marrëdhënieve politike. Në Republikën e Platonit, në fund të librit të tretë të kësaj vepre gjeniale, kur flet për virtytet që duhet të kenë sundimtarët e një republike të imaginuar, pra të një shteti ideal, Sokrati thotë se, që në atë shtet të ekzistojë drejtësia, ai duhet të mbështetet në një “gënjeshtër të ndershme”, ose “gënjeshtër të moralshme” (γενναῖον ψεῦδοςgennaion pseudos). Sipas Platonit, për shkak se e vërteta është shoqëruar gjithnjë me mungesën e stabilitetit politik në shoqëri, në shtetin e tij ideal poetët duheshin përjashtuar nga drejtimi i punëve të shtetit, madje edhe duheshin dëbuar prej tij, pasi krijimet e tyre janë kopje false të formave ideale dhe, si të tilla, ato nxisin pasionet e turmës.

Që në një shtet ideal, si ai që përshkruante Platoni, të sundonin virtyti dhe lumturia, sundimtarët duhej të ishin filozofë dhe filozofët sundimtarë, duke e mbështetur sundimin e tyre pikërisht në një “gënjeshtër të moralshme”. Ky koncept i referohej kryesisht një dijeje të pasaktë me natyrë fetare. Për Platonin, një gënjeshtër e tillë “e ndershme” do të shërbente si një “formë medicine” për njerëzit (Plato 235; 389b). A nuk e quante edhe Marksi fenë një “opium për popullin”, veçse në një kuptim krejt tjetër? Por, nëse për Platonin bënte kuptim që sundimtarët, në shtetin e tij ideal, të gënjenin, sepse ata, sidoqoftë, ishin “mbretër filozofë”, pra po aq të virtytshëm e të mënçur sa edhe vetë perënditë, ç’mund të thuhet për politikanët tanë që gënjejnë, të cilët nuk kanë virtytet dhe as mënçurinë që ta bëjnë e ta drejtojnë këtë vend si një shtet të së drejtës?

Një sërë mendimtarësh politikë, si Machiavelli, Montaigne, Grotius dhe filozofët e hershëm utilitarianë (Helvitius dhe Mercier), janë marrë gjerësisht me trajtimin e këtij subjekti. Machiavelli, ndoshta më i shquari prej tyre, në veprën e tij të famshme, Princi, shprehej në favor të mashtimit politik nga ana e sundimtarit dhe të sjelljeve të tij të pamoralshme, nëse këto i shërbenin qëllimit të ruajtjes së pushtetit. Për të, qëllimi justifikon mjetet. Edhe pse vetë Machiavelli nuk ishte shumë entuziast përsa i përket gënjeshtrës dhe mashtrimit në politikë, ai mendonte se sundimtari duhet të mashtrojë pasi, për të ruajtur pushtetin, ai nuk ka mënyrë tjetër.

 

Në një fushatë elektorale, që qytetarët të të votojnë, duhet që t’u bësh premtime. Kurrë nuk mund të ndodhë që një politikan, i cili kërkon votën e qytetarëve, të mos premtojë asgjë, pra edhe të mos gënjejë. Politikanët u thonë qytetarëve ato gjëra që këta të fundit duan të dëgjojnë, ashtu si një burrë i thotë një gruaje se duket bukur me veshjen e re që ka blerë dhe asaj i pëlqen t’i dëgjojë këto fjalë prej tij, edhe nëse dyshon në sinqeritetin, madje edhe në luajalitetin e tij. Po nuk premtove, vështirë se mund të zgjidhesh. Por, shumë herë, premtimet janë të tilla, që nuk përmbushen, dhe premtimet e papërmbushura janë, në më të shumtën e rasteve, gënjeshtra.

Përgjithësisht, premtimet elektorale harrohen sapo kandidatët në garë zgjidhen. Një ndër shembujt më të cituar është ky: Në vitin 1988, gjatë fushatës elektorale për postin e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, George H. W. Bush tha këto fjalë, që janë bërë të famshme si sinonim i premtimeve të pambajtura: “Read my lips, no new taxes” (Lexoni buzët e mia: asnjë taksë të re). Shumica e ekonomistëve në Departamentin e Thesarit në Washington e dinin se ky premtim nuk mund të ishte veçse një gënjeshtër klasike, por Bush besonte se ai do të vinte në krye të Shtëpisë së Bardhë nëse u premtonte amerikanëve atë që këta donin ta dëgjonin. Në vitin e dytë të presidencës së tij, një pjesë e taksave u rritën. Në vitin 2000, George W. Bush, gjatë fushatës së tij për postin e kreut të Shtëpisë së Bardhë, premtoi se nuk do ta rriste numrin e forcave ushtarake amerikane jashtë territorit të Shteteve të Bashkuara, por veproi ndryshe kur u zgjodh president. Barack Obama, nga ana e vet, gjatë fushatës së tij për president në vitin 2008, u premtoi amerikanëve se do ta mbyllte burgun ushtarak të Guantanamos në Kubë, por pas tetë vitesh të Obamës në krye të Shtëpisë së Bardhë, ky burg mbeti dhe vazhdon të jetë në funksionim.

Pavarësisht nga sa u tha më lart, mendoj se duhet bërë dallim mes gënjeshtrave të politikanëve që gënjejnë me vetëdije, duke bërë premtime realisht të pamundura, dhe atyre, premtimet e të cilëve nuk arrijnë të përmbushen dot, apo nuk përmbushen plotësisht ose brenda një periudhe të caktuar. Po kështu, duhet bërë dallim mes politikanëve që gënjejnë për t’u zgjedhur, dhe atyre që vazhdojnë të gënjejnë edhe pasi janë zgjedhur. Përgjegjësia morale e këtyre të fundit është, sigurisht, më e madhe. Nga ana tjetër, disa politikanë mund të jenë qartësisht të lexueshëm në gënjeshtrat që thonë dhe aspak interesantë për ata që i dëgjojnë, ndërsa të tjerë mund të jetë mjaft të rafinuar. Këta të fundit mund të gënjejnë edhe pa thënë gënjeshtra, pa artikuluar premtime, por duke iu shmangur pyetjeve që u bëhen gjatë një fushate, ose duke folur për çështje që u kërkohet të shprehin mendimin e tyre në një mënyrë të tillë që mund të duket sikur flasin për to, kur në fakt nuk flasin për to. Në politikë, ky quhet “talent” dhe politikanë gënjeshtarë të tillë konsiderohen, përgjithësisht, si politikanë “të talentuar”.

 

Politikanët gënjejnë pasi, në kohën e sotme, gënjeshtra është bërë jo vetëm një “lubrifikues social”, që vë në lëvizje makinën e madhe e të kushtueshme të çdo fushate elektorale, por edhe një “teknikë politike” për të fituar ose mbijetuar”. Lie or Lose! (Gënje ose humb!), shkruante pak kohë më parë gazeta britanike The Indipendent.

 

Politikanët gënjejnë sepse besojnë se risku që ata marrin mbi vete duke thënë të pavërteta dhe duke bërë premtime, që s’mund t’i mbajnë, ia vlen përballë privilegjeve që u jep pozita e fituar, sidomos kur kultura politike në vend është një kulturë e mosndëshkimit. Ata e dinë që qytetarët, edhe pse janë të ndërgjegjshëm se ata i gënjejnë, në fund të fundit, i tolerojnë. Shihni sa shumë i kemi toleruar (dhe rrallë herë i kemi ndëshkuar me votë, ose i kemi dënuar ligjërisht) ata politikanë që na kanë gënjyer më shumë dhe sistematikisht në këto 26 vite! A mund të justifikohemi duke thënë se ne jemi viktima të gënjeshrave të tyre? Në asnjë mënyrë jo. Si qytetarë, ne jemi viktima të naivitetit tonë politik, të defiçiencave tona civike e morale dhe të fanatizmit e verbërisë me të cilat u shkojmë pas politikanëve gënjeshtarë e të korruptuar.

 

Politikanët gënjejnë edhe sepse ata mendojnë se qytetarët kanë një qëndrim infantil ndaj të pavërtetave të tyre dhe, për këtë arsye, besojnë se, nëse një premtim i dhënë nuk mbahet, ai nuk do të përsëritet më. Por, shpesh herë, politika është përsëritje e premtimeve të vjetra. Duke përsëritur gjithnjë të njëjtat gënjeshtra, politikanët besojnë se, të përsëritura, gënjeshtrat nuk janë më të tilla – pra, gënjeshtra – por mundësi që qytetarët i besojnë se ka të ngjarë të vihen në jetë. Madje, politikanët gënjejnë edhe ngaqë, duke gënjyer vazhdimisht, ata fillojnë t’u besojnë edhe vetë gënjeshtrave të tyre, të cilat përpiqen t’ua shesin qytetarëve për të vërteta.

 

Gënjeshtra e politikanëve është ngjitëse. Kur një politikan gënjen, të tjerët nuk mund të rrinë “duarkryq”, pa bërë edhe ata të njëjtën gjë. Për ta bëhet e domosdoshme që, gjithashtu, të gënjejnë, shumë herë për të “përgënjeshtruar” rivalin apo rivalët e tyre politikë, përmes gënjeshtrave të tyre. Veçanërisht në kohë fushatash elektorale, gënjeshtra bëhet një epidemi virulente.

 

Ju, lexues të nderuar, mund të keni pritur që, në këtë ese, unë të përmendja emra politikanësh shqiptarë që gënjejnë dhe mund të keni mbetur disi të zhgënjyer që nuk gjetët asnjë prej tyre. Lista e politikanëve të tillë, natyrisht, është e gjatë, por unë jam i bindur se askush nga ju nuk ka nevojë ta mësojë nga unë se cilët politikanë shqiptarë kanë gënjyer ose gënjejnë më shumë. Ju i njihni ata po aq mirë sa dhe unë. Kujtoni vetëm disa prej premtimeve më të mëdha, në të kaluarën dhe sot: “çeku i bardhë”, “shkurtimi i administratës në masën 10% dhe i shpenzimeve administrative në masën 25%”, “drekë falas për të gjithë nxënësit e shkollave publike, nga klasa e parë në maturë” etj.

Pothuajse të gjithë politikanët tanë gënjejnë. Dhe këtë e dimë jo vetëm ne, qytetarët e këtij vendi, por edhe vetë ata. Politikanët e dinë që gënjejnë, si në rastet kur ju bëjnë premtime të mëdha, ashtu edhe kur ju bëjnë premtime të vogla. Nëse jemi të zhgënjyer prej tyre, kjo ndodh ose sepse premtimet e tyre të mëdha kanë krijuar pritshmëri të mëdha te ne, si qytetarë dhe, rrjedhimisht zhgënjime të mëdha kur premtimet nuk janë mbajtur, ose sepse, duke premtuar shumë herë përmirësime të vogla të kushteve tona jetësore, por pa bërë asgjë për realizimin e tyre, na kanë zhgënjyer vazhdimisht.

Një popull që ka humbur besimin te institucionet e vendit të tij, nuk mund t’u besojë politikanëve që kërkojnë të vijnë në krye të këtyre institucioneve, edhe pse votojnë për ta. Por, ç’mundësi tjetër kemi? Të vetmen mundësi që na krijon organizimi demokratik i shoqërisë – të votojmë atë parti dhe ata politikanë që mashtrojnë më pak dhe u qëndrojnë më shumë premtimeve që na bëjnë. A nuk thoshte Churchill-i se demokracia është një formë e keqe qeverisjeje, por ama është më e mira që kemi njohur deri më sot?

Ylli-Limar Butik Mili
REKLAMONI KETU!
Ylli-Limar
Butik Mili
RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments

error: Content is protected !!