Kryeministri i Kosovës Albi Kurti i pyetur sot rreth ekstradimit të të dënuarve për rastin “Monstra”, që gjenden në Kosovë, deklaroi se Kosova dhe Republika e Maqedonisë së Veriut kanë trashëguar shumë raste gjyqësore nga e kaluara, të cilat sipas tij nuk janë zbardhur deri në fund dhe për të cilat akoma nuk ka dalë e vërteta, andaj u shpreh se për këtë çështje nevojitet edhe ndihma e ndërkombëtare.
“Ministrat e drejtësisë të dy qeverive tona janë në kontakt të drejtpërdrejt, në komunikim të vazhdueshëm dhe sigurisht që bashkëpunojnë rreth kësaj çështje. Ne e dimë që nga e kaluara kemi trashëguar raste shumë të rënda që kanë pasur procese të vështira. Ka dhe raste që për bindjen time nuk janë zbardhur deri në fund dhe nuk e kemi ende të vërteten e plotë. Kemi biseduar bashkë me Zaevin që që kemi nevojë për ndihmën ndërkombëtare që drejtësia për të gjithë qytetarët e veçanërisht për viktimat të shkoj deri në fund që të mësohet e vërteta e plotë ”, tha Kurti.