Maqedonia e Veriut bëhet e para që ndal përsëri futbollin, ashtu sikurse ndodhi në Mars të këtij viti.
Rritja e rasteve me COVID-19 në shtetin fqinj ka detyruar autoritetet të marrin masat e para dhe të ndalin futbollin për pak kohë. Dy javët e programuara për t’u luajtur do të shtyhen. Ndeshjet e radhës në kampionat do të luhen respektivisht më 7-8 Nëntor.
Federata Maqedonase e Futbollit ka dhënë një lajm të tillë nisur nga rritja e numrit të të prekurve me COVID-19 në të gjithë vendin. Maqedonia e Veriut po përballet me një valë të dytë alarmante, prandaj dhe drejtuesit nuk duan të rrezikojnë. Një mbyllje e tillë rikthen frikën për mbylljen e parakohshme të kampionatit edhe në Shqipëri, që pritet të nisë në mesin e kësaj jave.
Sezoni i kaluar i futbollit në Maqedoninë e Veriut u ndërpre për shkak të pandemisë dhe nuk rinisi. Federata komunikoi anulimin e sezonit.