Kryeministri i Kosovës, Avdulla Hoti paralajmëroi sot se Qeveria, nëse vazhdon trendi aktual i përhapjes së epidemisë së Kovid-19 në Kosovë, do të detyrohet t’i kthejë masat e izolimit total, njofton korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.
Në publikimin e tij në faqen në Fejsbuk, Hoti porositi se është e mundur që autoritetet të detyrohen në një hap të tillë, por paralajmëroi se kjo do të kishte “pasoja të rënda” për ekonominë dhe për familjet e Kosovës.
“Rastet me COVID-19 po rriten shumë. Me këtë ritëm, shpejt do të bllokohet Klinika Infektive dhe atëherë mjekët tanë do të përballen me vendime të vështira morale se kënd duhet ndihmuar më parë. Ato skena i kemi parë në vendet që e përjetuan shumë rëndë këtë pandemi. Nuk mund të lejojmë të na krijohen situata të tilla. Nëse vazhdon ky ritëm, do të detyrohemi t’i kthejmë masat e izolimit total, të cilat do të kenë pasoja të rënda për ekonominë dhe familjet tona”, ka shënuar Hoti.
“Mos përmbushja e këtyre masave rrezikon shëndetin e qytetarëve dhe, rrjedhimisht, është e dënueshme. Nuk do të ketë tolerancë për askënd që shkel këto rregulla. Nuk mund të pësojmë si shoqëri për shkak të papërgjegjësisë së bartësve të institucioneve apo bizneseve që nuk i ndërmarrin masat mbrojtëse adekuate”, ka shtuar Hoti.
Të shtunën në Kosovë janë konfirmuar edhe 96 raste me coronavirus, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të infektuarve në 2590. Raste aktive janë 1.148. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë ka njoftuar dje se gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar edhe 87 pacientë. Numri i përgjithshëm i të shëruarve, tani ka arritur në 1.394.