Qytetarët serbë do t’i drejtohen sot kutive të votimit në zgjedhjet e përgjithshme që mbahen atje.
Qendrat e votimit janë hapur që prej orës 07:00, dhe pritet të mbyllen në orën 20:00 të mbrëmjes.
Janë mbi 6,5 milionë banorë me të drejtë vote, ku qytetarët serbë po votojnë për të zgjedhur parlamentin e ri prej 250 deputetësh, për përbërjen e re prej 120 anëtarësh të Kuvendit të krahinës autonome të Vojvodinës si dhe për udhëheqjen lokale.
Në tri komunat jugore të Serbisë, në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, për herë të parë, partitë shqiptare garojnë në një listë të përbashkët.
Partitë politike shqiptare, Partia për Veprim Demokratik, Alternativa për Ndryshime, Lëvizja për Progresin Demokratik, Lëvizja për Reforma e Partisë Demokratike Shqiptare dhe Partia Demokratike, arritën marrëveshje për të shkuar me një listë zgjedhore në fillim të këtij viti.
Përfaqësuesit politikë shqiptarë kanë deklaruar se synojnë të fitojnë tri vende në Parlamentin e Serbisë.
Për zgjedhjet parlamentare serbe votohet edhe në Kosovë, në 90 qendra të votimit, apo 20 qendra të grumbullimit të votave.