Në mbledhjet e mbajtur të hënën, Qeveria e Kosovës ka plotësuar vendimin e qeverisë së kaluar, të datës 31 maj 2020, që ka të bëjë me hapjen e kufijve tokësorë.
Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Armend Zemaj, ka thënë se me këtë ndryshim do të hapen edhe pikat e tjera kufitare tokësore.
“Ky vendim hyn në fuqi më 22 të këtij muaji, duke pasur parasysh që përgatitjet janë më intensive. Edhe sot, manuali do t’iu shpërndahet të gjitha institucioneve. Manuali është i gatshëm dhe do të mbikëqyret rreptësisht, t’iu ofrojmë qytetarëve, sidomos atyre që i frekuentojnë këto pika lëvizje të lirë”, ka thënë Zemaj.
Pikat kufitare që do hapen prej 22 qershorit janë pikat kufitare Qafë-Morinë, Muçibabë dhe Mutivodë.
Ministria e Shëndetësisë ka paralajmëruar se do të publikojë të hënën një manual për mbrojtjen nga përhapja e mëtejmë e koronavirusit.
Që prej shfaqjes së rasteve të para me koronavirus në Kosovë më 13 mars, deri më tani janë regjistruar 1,486 raste. Prej tyre janë shëruar 953 persona, ndërkaq 32 pacientë kanë vdekur.