Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti prej sot është në vetëizolim pasi një zyrtar i Ministrisë së Integrimeve Evropiane ka pasur kontakt të ngushtë me një nga personat e dalë pozitiv në testin për COVID-19. Ndërsa që edhe vet Kurti ka pasur kontakt me zyrtarin e MIE.
Përmes një statusi në Facebook, Kurti tha se tashmë janë marrë mostrat dhe po presin rezultatet.
“Sot është dita e parë kur nuk do të dal në punë në Kryeministri (ZKM). Një zyrtar i Ministrisë së Integrimeve Evropiane (MIE) ka pasur kontakt të ngushtë me një nga personat e dalë pozitiv në testin për COVID-19. Janë marrë mostrat dhe po presim rezultatin.Unë kam pasur kontakt me të, sikurse edhe punonjës të tjerë në MIE e ZKM, ndonëse gjithnjë duke respektuar rregullat për distancën fizike. Nga sot jam në vetëizolim në banesë gjersa të dalin rezultatet e testimit për zyrtarin nga MIE”, shkroi Kurti.
Shefi i ekzekutivit kosovar deklaroi se do t’i kryejnë detyrat nga largësia me përkushtimin e njëjtë si dhe do t’i marrim vendimet e duhura me përgjegjësinë e njëjtë.