Është ende herët dhe duhen pritur konfirmime, por shifrat e sotme të koronavirusit në Itali ngjallin optimizëm. Të dhënat e së hënës tregojnë se numri i rasteve të reja të infektuar nga Covid-19 në Itali po bie. Shifrat e bëra publike nga komisari i urgjencës, Angelo Borrelli, janë të dhëna që, megjithëse me të gjitha masat paraprake të mundshme, lejojnë të shihet drita në fund të tunelit. Janë 2470 raste pozitive të reja sot, më pak se dje kur rritja ditore ishte 2 853.
Gjithsej në Itali janë aktualisht 23 073 persona që vuajnë nga koronavirusi. Numri i përgjithshëm i të infektuarve – përfshirë viktimat dhe të shëruarit – arriti në 27 980.
Borrelli ka saktësuar, në lidhje me rastet e reja, se disa të dhëna mungojnë, por foli për një “optimizëm të kujdesshëm“.
“Është një numër në rënie edhe pse nuk ka të dhëna nga Puglia dhe provinca e Trentos. Por prirja është në rënie, siç është edhe në Lombardi”.
Duke u kthyer te të dhënat kombëtare, Borrelli shtoi se viktimat janë 349, pra 19 më pak se dje. Në total, 2 158 kanë vdekur nga epidemia dhe 2 749 njerëz janë shëruar, 414 më shumë se dje, kur shifra ditore ishte 369.