Prindërit e nxënësve të klasës së parë dhe të klasës së tretë në Frëngovë duke mos i dërguar fêmijët në shkollë kanë bojkotuar sot mësimin, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit për bashkimin e dy klasave
Vendimi, sipas prindërve, parashikon që 7 nxënësit e klasës së parë t’i bashkohen 3 nxënësve të klasës së tretë, duke krijuar një klasë të përbashkët me nxënës të niveleve të ndryshme.
Prindërit e kundërshtojnë ashpër këtë vendim, duke kërkuar që fëmijët të mos detyrohen të ndjekin mësimin në një klasë të përbashkët me nxënës të një niveli tjetër arsimor.
Sipas tyre, përgjegjësia për këtë situatë bie mbi Ministrinë e Arsimit dhe Komunës së Strugës, e cila ka marrë vendimin për bashkimin e klasave.
Bojkoti i sotëm është shndërruar në një sinjal të qartë pakënaqësie nga prindërit, të cilët kërkojnë që institucionet të rishqyrtojnë vendimin dhe të gjejnë një zgjidhje që, sipas tyre, është në interes të nxënësve.
Prindërit paralajmërojnë se nuk do të heshtin përballë vendimit dhe kërkojnë reagim të menjëhershëm nga institucionet arsimore.
(Struga Ekspres)














